Oferta e monetare e lekut është zgjeruar më tej gjatë vjeshtës dhe ka arritur nivelin më të lartë në tre vitet e fundit.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit tetor, rritja vjetore e agregatit monetar M2 arriti në 7.2%, niveli më i lartë që prej tetorit 2021.
Agregati monetar M2 përfaqëson paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare në lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.
Rritja me ritme të përshpejtuara e këtij treguesi vlerësohet se ka ardhur kryesisht nga rritja e shpejtë e kreditimit prej sektorit bankar, por edhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për të frenuar forcimin e monedhës vendase.
Fillimi i vitit 2022 pati shënuar edhe kthesën e kahut të politikës monetare, pas rreth një dekade kur politika monetare kishte lëvizur gjithmonë në kahun stimulues, vetëm me ulje të normës bazë të interesit. Prej atij momenti, rritja e agregatit M2 u ngadalësua ndjeshëm.
Por, gjatë këtij viti, oferta monetare e lekut po zgjerohet me ritme më të larta. Kjo përkon edhe ndryshimin e kursit të politikës monetare të bankës Qendrore. Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë iu kthye uljeve të normës bazë të interesit, duke e ulur fillimisht në 3% dhe më pas në 2.75%, në muajin nëntor.
Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë nxitur një përshpejtim të ritmeve të rritjes së kredisë. Në fund të muajit tetor 2024, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 813 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 11.3%. Ndërkohë, kredia në monedhën vendase në të njëjtën periudhë rezulton me rritje vjetore edhe më të lartë, me 18%.
Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në rritjen e ofertës së lekut këtë vit kanë qenë edhe operacionet e blerjes së valutës nga Banka e Shqipërisë. Për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro-lek, Banka e Shqipërisë ka kryer blerje të vazhdueshme të valutës në tregun e brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej më shumë se 542 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Blerjet e mëdha të euros kanë sjellë paralelisht edhe rritje të injektimit të lekut në ekonomi, duke ndikuar zgjerimin e bazës monetare të lekut./Monitor
Burimi: botasot.info