Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në Festën e Krishtlindjeve, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Sot, në Festën e Krishtlindjeve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali u prit nga Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, me të cilin, krahas urimeve, diskutuan mbi rëndësinë dhe rrezatimin e festave dhe vlerave të krishtera në jetën shoqërore e publike, në kultivimin e ndjenjave të dashurisë, miqësisë e solidaritetit njerëzor, mbështetjen e familjeve e të njerëzve në nevojë etj.
Në prononcimin e saj para mediave, pas vizitës në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali nënvizoi se “Krishtlindjet janë një ditë e shënuar, e bukur për të gjithë besimtarët e krishtere, por që tradicionalisht festohen nga të gjithë shqiptarët.
Toleranca dhe harmonia fetare janë një pasuri e madhe e shqiptarëve, e njohur botërisht dhe me të cilat kemi të drejtë të mburremi.
Nga kjo tolerancë duhet të mësojmë të gjithë, por sidomos ne politikanët. Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti e mirëkuptimi, të braktisim gjuhën e urrejtjes, të përçarjes dhe konfliktit.
Dashuria është vlera më e lartë njerëzore dhe ajo duhet të pershkojë jetët tona. Të gjitha gjërat e kësaj jete e kane një kufi. Vetëm dashuria nuk shterron kurrë. Kam sot një mesazh solidariteti me besimtarët, qytetarët, gratë dhe fëmijët që Krishtlindjet i gjejnë në luftë. Urojmë që luftrave tu jepet fund dhe paqja ta gjejë rrugën sa më shpejt. Gëzuar të gjithëve!”
Burimi: botasot.info