Analisti politik Gëzim Mekuli, e ka quajtur “spektaktël të turpshëm dhe të ulët” përdorimin e ushtrisë së Kosovës nga opozita për shpifje ndaj Qeverisë së Kosovës.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se ushtria po përdoret si mocion kundër kryeministrit Albin Kurti, përcjell Bota sot.
Sipas tij, këta “liderë” janë pengesë për përparimin e Kosovës, dhe populli duhet t’i refuzojë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mekuli në fund i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, që të tregojë të vërtetën se “FSK-ja nuk është lodër në duart e matrapazëve politikë, por është e shenjtë”.
Postimi i plotë i Mekulit:
Ushtria (FSK) si municion kundër Albin Kurtit
I nderuar lexues,
e nderuara lexuese,
ti po shikon një spektakël të turpshëm dhe të ulët; Politikanët, ata që duhet të të udhëheqin ty dhe mua, janë kthyer në gladiatorë të shpifjeve, duke përdorur FSK-në si maskë për të fshehur dështimet e tyre.
Këta politikanë – gladiatorë – nuk janë gjë tjetër veçse arkitektë të shpifjeve dhe manipulimeve, duke zhvilluar skena të denja për admirimin e kriminelit më famëkeq, Pablo Escobar.
Atyre nuk u mungon as artizanati i intrigave, as mjeshtëria e komplotit. Në fakt, as rrjetet e narkotrafikantëve të Amerikës Latine nuk do të kishin menduar strategji më të ndyta se kjo e partiakëve dështak të Prishtinës.
Politikanë a individë që përdorin forcën më të shenjtë të këtij vendi – ushtrinë – si një vegël për të forcuar pozitat e tyre, për të kënaqur egot e tyre të sëmura, janë figura që s’meritojnë asgjë më shumë sesa përçmim dhe injorim.
Kjo ushtri nuk është ndërtuar për të mbështetur ambiciet e juaja të ulëta apo për të mbuluar paaftësitë dhe dështimet e juaja. Për dekada me radhë, ju, klane të korruptuara, e keni kapur shtetin për fyti, ia keni zënë frymën Kosovës, e tani doni ta përdorni edhe ushtrinë për të mbajtur gjallë trashëgiminë e juaj të errët.
Ju “liderë” jeni të gatshëm të sakrifikoni interesat kombëtare për të fituar disa pikë të pavlera politike, duke vënë në rrezik sigurinë dhe të ardhmen e popullit.
Ushtria e Kosovës, krenaria e kombit, është përdorur, dhe po përdoret, si lodër partiake, si municion e si trampolinë për ambicie të ulëta personale. Një forcë që duhet të mbrojë sovranitetin, është bërë kurban i intrigave të ulëta dhe betejave partiake të korruptuara.
Në vend që të kontribuoni për të mirën e popullit, ju përpiqeni të shpëtoni karrierat e juaja të falimentuara, duke manipuluar me shpifje dhe ofendime. Ju nuk keni asgjë për të ofruar, përveç llafeve të kota dhe përçarjeve. Në vend të ideve, ju sulmoni inteligjencën tonë dhe luani me ndjenjat tona, duke na trajtuar si kafshë që mund të manipulohet lehtë.
Të dashur lexues,
këta “liderë” janë pengesë për përparimin e Kosovës, dhe populli duhet t’i refuzojë me 9 shkurt!
– Zotëri Maqedonci, Ministri ynë i Mbrojtjes, populli pret, e kërkon situata retorike, që ti të dalësh sot, po po sot, para tij dhe të thuash të vërtetën e madhe: FSK nuk është lodër në duart e matrapazëve politikë, por është e shenjtë. Dhe është koha që ti të mbrosh Kosovën, së pari nga propaganda e tyre, pastaj nga armiqtë tanë të vjetër!
BURIMI: Bota Sot