Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Spanja ka vendosur një rekord të ri për mbërritjet e emigrantëve në vitin 2024, me 63.970 persona që kanë hyrë në territorin spanjoll gjatë vitit në mënyrë të parregullt nga toka ose deti.
Kjo shifër shënon vitin e dytë radhazi që Spanja thyen rekordin e saj për mbërritjet e emigrantëve të parregullt.
Në vitin 2023, totali ishte 55.718, pothuajse dyfishi i numrit të regjistruar në vitin 2022.
Në vitin 2024, shumica dërrmuese e mbërritjeve të parregullta, respektivisht 46,843, e bënë udhëtimin e pabesë përmes detit nga Afrika veriperëndimore në Ishujt Kanarie të Spanjës.
Një raport i publikuar në muajin dhjetor nga organizata joqeveritare ‘Caminando Fronteras’ vlerësoi se në vitin 2024 mesatarisht 30 njerëz kanë humbur jetën për çdo ditë në përpjekje për të arritur në Spanjë, që do të thotë pothuajse 10 mijë humbën duke u përpjekur të arrinin në Ishujt Kanarie.
Presidenti i Ishujve Kanarie të Spanjës, Fernando Clavijo, ka theksuar paaftësinë e rajonit për të trajtuar fluksin, veçanërisht kur bëhet fjalë për të miturit. Sipas tij, shërbimet janë të ngopura dhe të paafta për t’i trajtuar ata me dinjitet ose në përputhje me detyrimet e të drejtave të njeriut.
Në një intervistë me transmetuesin spanjoll RTVE, ministrja spanjolle e Migracionit, Elma Saiz, tha se qeveria po punon për të arritur një marrëveshje që do të ri-shpërndajë automatikisht emigrantët e rinj në kontinent.
Saiz theksoi gjithashtu se në vitin 2025 do të hyjë në fuqi ligji i ri i imigracionit në vend, në bazë të të cilit është vendosur të legalizohen rreth 300 mijë emigrantë pa dokumente çdo vit gjatë tre viteve të ardhshme.
“Viti 2025 do të shënojë Spanjën si një fener për përfshirjen dhe jetesën në harmoni me emigrantët”, tha ajo.
Ministrja spanjolle përshëndeti Paktin e Migracionit të BE-së, të arritur në vitin 2024, i cili sipas ministres do të zbatohet në vitin 2025.
Rruga tjetër kryesore e migrimit në Spanjë ishte përmes anijeve në kontinentin spanjoll ose në ishujt Balearik në Mesdhe, të cilat regjistruan afër 14.500 mbërritje në vitin 2024.
Një rritje e konsiderueshme u vu re gjithashtu te emigrantët që kaluan kufirin tokësor në Ceuta, enklavën e Afrikës Veriore të Spanjës, ku kaluan më shumë se 2.500 persona apo më shumë se dyfishi i numrit në 2023.
Burimi: botasot.info