Zyra e shtypit e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ka bërë me dije se ky institucion ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike.
“Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftim.
Reagimi i SPAK vjen një ditë pas lajmit se Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 6 milionë dollarëshe për dy vjet me një firmë në Uashington DC.
Sipas dokumentit, firma është hedhur pikërisht në 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe si garant në SHBA ka dalë një shtetas me emrin Nuredin Seçi.
Kjo është kontrata e dytë brenda pak muajsh që PD-ja nënshkruan me njerëz të afërt të Donald Trump, pas mbërritjes në Shqipëri të një prej dy strategëve të Presidentit të SHBA, Chris Lacivita.
Burimi: botasot.info