spak me akuze te re per ish zevendeskryeministren belinda balluku 6a6cfcb07a7cc

SPAK me akuzë të re për ish-zëvëndëskryeministren, Belinda Balluku

July 31, 2026
min lexim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) i komunikoi të premten akuzë të re ish-zëvëndëskryeministres, Belinda Balluku.

SPAK tha për mediat se “Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi, për t’u pyetur lidhur me akuzat si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”.

Deri tani, Ballukut i është ngritur aktakuzë për “shkelje të barazisë në tenderë” për dy procedura prokurimi: ndërtimin e tunelit të Llogarasë në jug të Shqipërisë, me vlerë rreth 200 milionë eurosh si dhe për ndërtimin e lotit të katërt të Unazës së Madhe të Tiranës në vlerën 22 milionë eurosh.

Sipas burimeve, SPAK më 31 korrik i ka komunikuar Ballukut akuzën edhe për gjashtë procedura të tjera prokurimi që lidhen me lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës. Me këtë, numri i procedurave për të cilat ajo akuzohet shkon në tetë. Ndaj Ballukut, Prokuroria ka zgjatur afatin e hetimeve për tre muaj.

Pas paraqitjes së Ballukut në SPAK dhe akuzës së re, reagoi Partia Demokratike në opozitë. PD pretendoi se ish-zyrtarja e lartë e Partisë Socialiste në pushtet e ka mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa SPAK-un e akuzoi për mosveprim të pajustifikueshëm.

“Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të buxhetit të shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët”, tha nënkryetari i PD-së, Gazmend Bardhi.

Ai kërkoi që SPAK-u të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

Edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku, reagoi duke thënë se është e pakuptimtë që SPAK-u të mos i drejtohet sërish Kuvendit për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Një muaj më parë, kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se imuniteti parlamentar pengon vendosjen e masave të sigurimit ndaj një deputeti, por nuk e ndalon zhvillimin e hetimeve, edhe pse mund t’i vështirësojë ato. Ai nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi nëse SPAK-u do të paraqesë një kërkesë të dytë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke thënë se çdo vendimmarrje do të bazohet në ligj dhe prova.

Paralelisht me hetimet për tenderët, SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj Ballukut edhe për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Në kuadër të këtyre hetimeve, në qershor u vendos masa preventive e sekuestrimit ndaj një vile në një resort turistik në Dhërmi, me vlerë rreth 145 mijë eurosh. Prokurorët dyshojnë se prona mund të jetë përfituar përmes favoreve ndaj një kompanie ndërtimi. Balluku i ka mohuar akuzat dhe çdo shkelje të ligjit.

Në tetor 2025, pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata e Posaçme vendosi, me kërkesë të SPAK, pezullimin e Ballukut nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama e kundërshtuan vendimin, duke iu drejtuar Gjykata Kushtetuese me argumentin se pezullimi i një ministri nga Gjykata cenonte ndarjen e pushteteve dhe se për një masë të tillë nevojitej autorizim i Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese fillimisht pezulloi zbatimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, duke i lejuar Ballukut të vijonte përkohësisht detyrën. Por, në shkurt 2026,pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën e nevojshme dhe masa e pezullimit mbeti në fuqi.

Pas këtij vendimi, kryeministri Rama e largoi Ballukun nga postet qeveritare. Më pas, kërkesat e saj për heqjen e masës së pezullimit u rrëzuan edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe Gjykata e Lartë.

Në dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj. Por, kërkesa nuk mori votat e nevojshme, pasi deputetët socialistë votuan kundër heqjes së imunitetit.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kolone e gjate e automjeteve ne dollc per shkak te punimeve 6a6cfc3799b5e
Lajmi i mëparshëm

​Kolonë e gjatë e automjeteve në Dollc për shkak të punimeve

kriza e emigracionit ne ceuta te spanjes reagon ke asnje emigrante nuk do lejohet per te kaluar kufirin ne vendet e tjera te be 6a6cfd145f6db
Lajmi i radhës

Kriza e emigracionit në Ceuta të Spanjës, reagon KE: Asnjë emigrantë nuk do lejohet për të kaluar kufirin në vendet e tjera të BE

Të fundit nga

ShkoLartë