Komisioni Evropian ka deklaruar se migrantët që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në enklavën spanjolle të Ceutës nuk do të lejohen të kalojnë drejt Evropës kontinentale. Deklarata vjen në një kohë kur disa vende të Bashkimit Evropian kanë kërkuar masa ndaj Spanjës, përfshirë pezullimin e saj nga zona Shengen, duke e akuzuar për dështime në kontrollin e kufirit të jashtëm të BE-së.
Komisioni Evropian bëri të ditur të premten se asnjë migrant i hyrë ilegalisht në Ceuta nuk është transferuar drejt territorit kontinental evropian.
Kriza e papritur e migracionit në enklavën spanjolle ka shkaktuar shqetësim në të gjithë Evropën dhe ka nxitur debate për funksionimin e kontrollit kufitar në zonën Shengen. Megjithatë, zyrtarët e BE-së kanë theksuar se personat që kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm drejt shteteve të tjera anëtare.
“Sot nuk ka lëvizje të mëtejshme drejt kontinentit evropian”, tha një zyrtar i BE-së, duke kundërshtuar pretendimet e disa përfaqësuesve të qendrës së djathtë në Evropë se migrantët mund të shpërndahen lirshëm në vendet e tjera të Unionit.
Rreth 60 mijë migrantë, kryesisht shtetas marokenë, hynë me forcë në enklavën spanjolle në Afrikë të enjten, duke shënuar valën më të madhe të mbërritjeve të parregullta të regjistruar ndonjëherë në një territor të Bashkimit Evropian. Në vend të solidaritetit me Spanjën, disa vende të BE-së, mes tyre Italia, Finlanda dhe Danimarka, kritikuan qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez, duke e akuzuar se nuk ka arritur të mbrojë siç duhet kufijtë e jashtëm të Evropës.
Edhe pse Ceuta është pjesë e territorit spanjoll, ajo i nënshtrohet rregullave të veçanta për lëvizjen e lirë. “Kontrollet për personat që largohen nga Ceuta dhe Melilla mbeten në fuqi sipas sistemit Shengen. Për këtë qëllim, këto territore konsiderohen kufij të jashtëm të Bashkimit Evropian”, tha një zyrtar i Komisionit Evropian.
Burimi: botasot.info


