SPAK zbarkoi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në shtëpinë e Erion Veliajt. Kontrollet janë urdhëruar nga Gjykata e Posaçme në kuadër të hetimit pasuror ndaj Veliajt, një veprim ky i ndërmarrë nga Prokuroria Antikorrupsion 20 ditë pasi kryebashkiaku socialist u paraqit në SPAK.
Përmes burimesh Vizion Plus konfirmoi që agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi kontrolluan shtëpinë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, gjetën dhe sekuestruan një celular të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.
Për analistin Ergys Mërtiri, kjo tregon se SPAK e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nuk heziton të godasë në nivele të larta politike. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatoren Pranvera Borakaj, zoti Mërtiri tha SPAK ka fituar tani një besueshmëri më të madhe.
Pranvera Borakaj: Kontrolli i sotëm i shtëpisë së Veliajt, por edhe galerisë që zotërohet nga bashkëshortja e tij, si konsiderohet nga ana juaj? I paralajmëruar, i pritshëm, një manovër siç e konsideron Partia Demokratike e Sali Berishës, i vonuar?
Mërtiri: Ne do donim që hetime të tilla të ishin bërë më parë dhe më shpejt. Por kjo është arritje e SPAK. Kemi disa figura që SPAK i ka çuar prapa hekurave, disa i ka nën hetim dhe për disa i ka plotësuar dosjet e ia ka kalaur gjykatës. Goditja e Veliajt sot i jep besueshmëri më të madhe SPAK dhe tregon se ky institucion e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nuk heziton të godasë edhe në nivele të larta.
Ashtu siç ka goditur ish-minsitra, ish-deputetë, kryetarë bashkish. Janë gati 15 kryebashkiakë dhe 6 ministra në total. Kjo tregon që për herë të parë kemi një institucion që ka kurajo dhe guxim për të hetuar në mënyrë serioze njerëz të niveleve të larta. Ajo që thotë zoti Berisha ‘që ata i kanë lënë kohë të fshijnë prova nga telefoni’ është pak qesharake. Me mjetet që ka prokuroria, policia mund të rikthejnë çdo lloj materiali. Nëse do të ishte kështu do t’i kishte fshirë edhe Ilir Meta dhe Kryemadhi provat nga telefonat që iu sekuestruan. Ata telefona prodhuan fakte që njërin e çuan në burg dhe tjetrën “detyrim paraqitje”.
Burimi: botasot.info