Profesori universitar i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se mund të ketë sulme të reja gjatë vitit 2025 në veri të Kosovës.
Spahiu paralajmëron se sulme mund të ndodhin gjatë festës së Krishtlindjes ortodokse, dhe sipas tij të ndodhë kjo për arsye që serbët të thonë se shqiptarët po i sulmojnë pikërisht në ditët festive.
“Po, mund të ketë sulme të reja. Por, nuk e besoj të paktën jo deri te Krishtlindja ortodokse, vetëm në ditën e Krishtlindjes mund të ketë diçka, eventualisht për shkakun që ajo është një ditë e ndjeshme për besimtarët ortodoks edhe nëse duan të bëhet ndonjë gjë me bujë shumë të madhe mund të ndodhë pikërisht atëherë. Mund të thonë se ‘ja çfarë na bënë kur ne festojmë, na sulmojnë’. Besoj që institucionet tona të sigurisë e të inteligjencës do të jenë shumë më sy çelë në kohën e Krishtlindjes”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Lidhur me këtë, profesori Spahui e sheh të rrezikshme për Kosovën një sulm të stilit “Panda 2”, i cili ndodhi në Pejë në dhjetorin e vitit 1998, ku shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.
“Ajo çfarë është më e rrezikshme për Kosovën dhe që mundet me ndodhë është ndonjë sulm në stilin ‘Panda 2’, si rasti në Pejë, kur vetë shërbimi inteligjentë i Serbisë vrau gjashtë të rinj serbë për t’i akuzuar pastaj shqiptarët se ata e kanë bërë këtë dhe si shkas me nis luftën dhe pastrimin etnik”, deklaroi ai.
Sipas tij, një rrezik i tillë në një moment oportun mund t’i ndodhë Kosovës, “prandaj do të duhet që të jenë sy çelë institucionet e sigurisë”.
E sulme të ngjashme ka paralajmëruar edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili për Tëvë1 tha se në vitin 2025 mund të ketë sulme të reja, të cilat mund të ndodhin në festat e komunitetit serb.
“Faktikisht unë nuk pres që serbët të rrinë të qetë, posaçërisht institucionet e sigurisë duhet të kenë parasysh dhe duhet ta kenë vëmendjen sidomos në datën 7 e cila është festë e serbëve, dhe ata mund të bëjnë ndonjë ekses apo ndonjë sulm terrorist dhe t’ua lënë shqiptarëve kinse shqiptarët i kanë sulmuar dhe me datë 9 fillon fushata parazgjedhore në Republikën e Kosovës dhe deri më 9 shkurt kur janë zgjedhjet, policia, inteligjenca dhe në përgjithësi institucionet e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme dhe vigjilente sepse serbët nuk do të rrinë rehat” , tha Kastrati.
Burimi: botasot.info