Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka thënë se në qoftë se Serbia e njeh Kosovën duke lejuar hapjen e ambasadës në Beograd, atëherë nuk mund ta bëjë më ç’njohjen e saj.
Ai duke iu referuar takimit që është u zhvillua në Bruksel, ka thënë se Kosova nuk guxon ta lejojë që të valojë flamuri i Zajednicës në Komunat me Shumicë Serbe, pa valu ai i Kosovës në Beograd.
“Dy gjëra janë të pakthyeshme, në qoftë se Kosova e bënë Asociacionin më nuk mundet më i ra pishman me thënë se më nuk po e bëjë, pra më zhbë. Dhe në qoftë se Serbia e njeh Kosovën nuk mund ta kthej. Nëse e hap një herë ambasadën e Kosovës në Beograd. Ajo mund ta mbyllë ambasadën dhe ta përzë ambasadorin mbas një dite, por njohja nuk zhbëhet. Kjo pasi hapja e ambasadës nënkupton njohje de facto, de juro“, ka thënë ai.
Ndryshe, një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.
Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.
Burimi: botasot.info