Donacionet e internetit satelitor për Ukrainën nga SpaceX mund të mos zgjasin shumë. Sipas një raporti të publikuar nga CNN, SpaceX ka dërguar një letër Departamentit të Mbrojtjes në Shtator duke pretenduar se kompania nuk është e aftë të financojë internetin satelitor në Ukrainës e cila ka një kosto dhjetëra miliona dollarëshe çdo muaj.
Kompania përllogarit se akses në të dhëna për qeverinë dhe ushtrinë Ukrainase shkon deri në 124 milionë dollarë për pjesën e ngelur të 2022 dhe deri në 380 milionë dollarë në vit.
Starlink ka kërkuar që Pentagoni të marrë në dorë tashmë financimin e saj.
Elon Musk në rrjetin social Twitter tha se SpaceX nuk përballon dot financimin e infrastrukturës aktuale sepse po dërgon në mënyrë të vazhdueshme terminale dhe menaxhon të dhëna 100 herë më shumë sesa do të kishte bërë me konsumatorët të zakonshëm individualë.
Teknologjia satelitore jo vetëm që është përdorur për të koordinuar fushatat ushtarake të Ukrainës por edhe për të ofruar internet për antenat celulare dhe rrjetet e tjera civile që ju shërbejnë shumë njerëzve.
Ekzekutivi tha se SpaceX shpenzon afro 20 milionë dollarë në muaj së bashku me koston për mbrojtjen nga sulmet kibernetike Ruse dhe përpjekjet e saj për të bllokuar sinjalet.
Deklaratat e fundit të Musk bien në kundërshti me dokumentet. Javën e kaluar ai tha se vetëm një përqindje e vogël e terminaleve dhe shërbimeve kishin marrë financim të jashtëm ndërsa dokumentet sugjerojnë se 85% e 20 mijë sistemeve në funksion asokohe pjesërisht financoheshin nga SHBA-ja, Polonia dhe vende të tjera. /PCWorld Albanian