Një raketë SpaceX Falcon 9 dërgoi në hapësirë 52 satelitë të tjerë mbrëmjen e së Martes duke e dërguar numrin e përgjithshëm të satelitëve Starlink në 3,009.
Raketa e cila u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida të SHBA kreu një ulje vertikale gjatë kthimit në anijen e dronëve A Shortfall of Gravitas në Oqeanin Atlantik.
Falcon 9 është raketa më e avancuar e SpaceX dhe gjer më sot ka kryer 35 fluturime. Shumica e misioneve kanë qenë për hedhjen e satelitëve Starlink në orbitën e ulët të tokës.
Liftoff! pic.twitter.com/j5xpFbHplK
— SpaceX (@SpaceX) August 10, 2022
Kompania e Elon Musk synon të ketë 42 mijë satelitë në orbitën e Tokës për të ofruar konektivitet në tokë, ajër dhe det. Komisioni Federal i Komunikimit në SHBA ka aprovuar deri më sot 12 mijë ndërsa mbeten 30 mijë të tjerë për tu aprovuar.
Një total prej 2,662 satelitësh janë operacionalë. SpaceX është shumë përpara çdo konkurrenti kur bëhet fjalë për numrin e satelitëve në hapësirë nisur edhe nga fakti se është një kompani që prodhon vetë raketat e saj.
Konkurrenti OneWeb madje ka kërkuar ndihmën e SpaceX për lëshimin e satelitëve të saj dhe numëron vetëm 648 të tillë. Amazon gjithashtu synon të ketë flotën e saj me 3,236 satelitë njohur si Projekti Kuiper. /PCWorld Albanian