Quhet Dawson Gurley, por të gjithë e njohin si “Fake Klay” ose më saktë si sozia (me disa kilogramë më shumë) i një prej yjeve të NBA-së, Klay Thompson, që luan me Golden State Warriors. Këto ditë emri i tij po bën xhiron e rrjeteve sociale, përmes një video që vetë Gurley ka postuar, të xhiruar pak orë para finales së pestë play off.
I veshur me uniformën zyrtare të skuadrës së Golden State, ai ka arritur të mashtrojë sigurinë e stadiumit “Chase Center”, duke arritur pa asnjë problem deri në fushën e lojës (nuk kishte tifozë). Madje për disa minuta ai ka nisur i pashqetësuar të luajë dhe gjuajë disa topa në kosh, njësoj sikur do të bënte edhe vetë Klay Thompson para ndeshjes.
Gjithçka është e dokumentuar në videon që vetë “Fake Clay” ka postuar. Më pas një punonjëse e sigurisë duket se ka kuptuar gjithçka dhe kanë shoqëruar personin jashtë stadiumit. Gjithsesi, kjo aventurë i ka kushtuar shumë Dawson Gurley, pasi ka marrë një njoftim, që është përjashtuar përgjithnjë nga ky stadium.
“Për 10 minuta kam qenë në fushë dhe kam qenë një lojtar i NBA-së”, thotë Dawson Gurley, që ka bërë edhe foto me një fans në stadium. Pavarësisht dënimit, ai ka premtuar se do të jetë në stadium për ndeshjen e gjashtë play off, sfidë që do të luhet në Boston pas 24 orësh.