Java që po lëmë pas ishte e rëndë për ish-presidentin, Hashim Thaçi.
Pak ditë pasi vizitoi babain e tij, Haxhiun, mori lajmin e kobshëm për ndarjen e tij nga jeta, shkruan IndeksOnline.
Me gjithë kërkesat e familjarëve, Thaçit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrimin e të atit, të cilit iu dha lamtumira e fundit të martën, në Burojë.
Deri dje, Gjykata Speciale e mbajti Thaçin larg këtij momenti prekës dhe të rëndë për familjen, duke e sjellur dje në Kosovë, nën masa të rrepta sigurie.
Ndalesa e parë u bë në Burojë, pranë varrit, aty ku Thaçi vendosi një kurorë lulesh.
Nën shoqërimin e disa policëve dhe pjesëtarëve të EULEX-it, Thaçi megjithatë ishte i vetëm në atë moment prekës.
Ai më pas u përcoll për në Burojë, në shtëpinë e të atit, ku iu lejua takimi me nënën dhe bashkëshortën, për t’u bartur më pas në zyret qendrore të EULEX-it, në Prishtinë.
Disa vizita të shkurtra dhe takime me vëllezërit iu mundësuan sot, në zyret e EULEX-it, pak çaste para se të nisej drejt Hagës, për t’iu rikthyer procesit gjyqësor me emrin “Thaçi dhe të tjerët”.
Në seancën e radhës, pas një sesioni pushimi disa javor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, do të dalin përballë trupit gjykues të hënën e 24 marsit.
Seanca është njoftuar të fillojë në ora 09:00.
Burimi: botasot.info