Sot tërhiqen edhe 25% të policëve nga ndërtesat e komunave në veri të Kosovës

August 4, 2023
min lexim

Më 10 korrik në Bratisllavë kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak u dakorduan për katër hapat që do të ndiqen për t’u ulur tensionet në Veri. Hapi i parë dhe i dytë kanë të bëjnë me reduktimin e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.

Përveç 12 korrikut kur nisi reduktimi i 25 përqindshit të parë, sot do të nisë edhe largimi i 25 për qind të policëve të tjerë në dhe rreth ndërtesave komunale.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, ka njoftuar Policia.

PK ka thënë se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore.

Pas njoftimit të Policisë, në mbrëmje ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Duke njoftuar për reduktimin e mëtejmë të Policisë, ai ka thënë se Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës.

”Kosova po zbaton zotimet nga marrëveshja e Bratislavës dhe po vazhdon të kontribuojë pozitivisht në de-përshkallëzimin”, ka thënë ai.

Postimin e Sveçlës e shpërndau në Twitter zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

”Pas Marrëveshjes së Bratislavës, ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit. Situata është e qetë tash e disa javë – konfirmuan dje bashkërisht PK-ja, KFOR-i dhe EULEX-i.Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj nga arrng. & beson se pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

Për shkak të zhvillimeve në Veri që kaluan në tension që nga maji i këtij viti, Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Bislimi ka thënë se masat janë të përkohshme e të kthyeshme, duke nënkuptuar se këto veprime të Qeverisë në planin e deskalimit do të ndikojnë në largimin e atyre masave.

”Marrëveshja e 10 korrikut është ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe ka për qëllim të zbatojë deklaratën e BE27 nga 3 qershori. Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për deeskalim”, ka thënë ai.

Hapi i tretë për deeskalimin e situatës është mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore “pas stinës së verës”, ndërsa hapi i katërt ka të bëjë me finalizimin e planit të sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit.

Situata në Veri u tensionua pasi u futën në ndërtesat komunale kryetarët e rinj që fituan në zgjedhjet e 23 prillit. Lulzim Hetemi qysh prej 29 majit ndodhet brenda objektit të komunës së Leposaviqit, ndërsa njëjtë është raportuar edhe për Erden Atiq. Ndërkaq, në anën tjetër, dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan, kanë vazhduar punën e tyre nga objekte alternative.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Që sërish të shkëlqejnë: Si t’i zbardhni dantellën e zverdhur dhe pambukun!

Story i radhës

Tërhiqen 25% e policëve nga ndërtesat komunale në veri

Të fundit nga

KOSTT: Nënstacioni Prishtina 3 bëhet funksional

Pas avarisë së ndodhur në muajin Prill 2024 të shkaktuar nga zjarri, KOSTT njofton se ka përfunduar me sukses ri-energjizimin e plotë të kapaciteteve teknike të Nënstacionit Prishtina 3, një nënstacion jetik
ShkoLartë