Sot Liderët në takim, do të diskutojnë për të ardhmen evropiane

min lexim

Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sot në Kuvend do të mbajë takim me liderët e partive parlamentare politike, ku duhet të bisedohet për rrugën evropiane të vendit, si dhe për vendimet që në të ardhmen duhet të sillen me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

“Takimin që e thirr kryetari i Qeverisë, organizohet me qëllim që të hapet diskutimi për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe për vendimet të cilat në periudhën në vijim duhet të sillen në Kuvend me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror. Ftesa drejt kryetarëve të partive politike do të dërgohet gjatë ditës së nesërme”, kumtoi Qeveria në paralajmërimin për thirrje të takimit më 2 nëntor.

Kryeministri Kovaçevski të shtunën, pas kontrollit të punëve ndërtimore në aksin e rrugës Farish – Prilep deklaroi se takimin e liderëve e ka thirrur me qëllim që të gjitha partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Parlament, së bashku të bisedojnë për të ardhmen evropiane të shtetit dhe për vendimet të cilat duhet të sillen me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.

“Jam i bindur se do të ofrojnë mbështetje në sjelljen e vendimeve të shpejta dhe cilësore në Kuvend. Pjesë e bisedimeve, normalisht do të jetë procesi i skriningut i cili zhvillohet pas konferencës së parë ndërqeveritare mes shtetit tonë dhe BE-së, skriningu shpjegues dhe përgatitjet për skriningun bilateral, më pas të gjitha ato aspekte kyçe të cilat kanë të bëjnë me integrimin e shtetit në BE, e ato janë, para së gjithash, sundimi i së drejtës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe aspektet ekonomike të bashkëpunimit tonë me BE-në”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se inkuadrimi drejt BE-së nuk është vetëm çështje e integrimit, nuk është vetëm çështje politike, por tashmë bëhet edhe çështje ekonomike dhe të gjithë qytetarët mund të shohin se në përballje me krizën ekonomike shteti ynë nuk është lënë vetëm, duke potencuar se atë që e tha kryetarja e Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen, por dhe porositë e dërguara nga Samiti i vendeve nga Ballkani perëndimor të mbajtur javën e kaluar në Berlin, tregojnë se rajoni dhe shteti ynë janë pjesë e aktiviteteve të Unionit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski të shtunën konfirmoi se do të marrë pjesë në takim, duke paralajmëruar se në të do t’i prezantojnë qëndrimet partiake, të cilat është i gatshëm t’i mbrojë çdokund në botë.

Ai shtoi se lidhur me ndryshimet e Kushtetuës, ajo çështje është temë e mbyllur për VMRO-DPMNE-në, sepse, siç tha, ndryshime kushtetuese “nuk do të ketë nën këto rrethana dhe pa garanca për të ardhmen tonë evropiane të mbrojtura nga kushtëzime të ardhshme nga Bullgaria”.

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në deklaratë për MIA-n theksoi se përfaqësues të partisë do të marrin pjesë në takimin e liderëve të organizuar nga kryeministri Kovaçevski.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e momentit nëpër të cilin kalojmë, si shoqëri dhe si shtet, konsideroj se është e drejtë të mbahet një takim i këtillë sepse situata është serioze dhe meriton përgjigje serioze dhe përgjegjësi nga të gjitha partitë politike, e posaçërisht akoma më shumë kur kemi parasysh se për agjendën evropiane, ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojitet shumicë prej dy të tretave të deputetëve imponon ulje të domosdoshme në një tryezë, bashkëpunim dhe vendim marrje të përbashkët të partive parlamentare politike”, tha Ademi.

Për nismën e Besës për takim të partive politike shqiptare në të cilat do të bisedohej për ndryshime kushtetuese në raport me përdorimin e gjuhës shqipe, Ademi theksoi se me ta nuk kanë kurfarë dallime për çështjet kyçe dhe janë në komunikim të vazhdueshëm.

Nga Alternativa për MIA-n theksuan se nuk kanë kurfarë dileme nëse duhet të japin mbështetje për propozimin për fshirje të formulimit “20 për qind” për përdorimin e gjuhës shqipe dhe prandaj nuk ka nevojë për ndonjë takim të veçantë.

Edhe nga Aleanca për shqiptarët, në deklaratë për MIA-n konfirmuan se do të marrin pjesë në takimin e liderëve inicuar nga kryeministri, duke shtuar, gjithashtu, se janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, kryetari i partisë E Majta, Dimitar Apasiev informon se nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve.

“Me ne nuk mund të merren vesh. Ne jemi arrë e fortë”, tha Apasiev.

Ende nuk është e njohur nëse në takim të liderëve do të marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Për sot në orën 11 Kasami ka thirrur konferencë për shtyp në të cilën pritet ta kumtojë vendimin përfundimtar rreth pjesëmarrjes në takim.

Idenë për mbajtje të takimit të partive të shqiptarëve në të cilin do të bisedohej për ndryshime të Amandamentit 5 me të cilin do të ndryshohej formulimi “gjuha të cilën e flasin 20 për qind e qytetarëve” me “gjuhë shqipe”, e paralajmëroi nënkryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha në konferencën për shtyp më 2 nëntor.

Ai informoi se Besa do t’u dërgojë të gjitha partive të shqiptarëve për takim të përbashkët.

Hoxha më pas gjatë pjesëmarrjes në emision televiziv deklaroi se disa nga partitë kërkuan t’i konsultojnë organet partiake para se ta paraqesin qëndrimin e vet për idenë e Besës, ndërsa disa nga partitë nuk kanë përgjigje, por vetëm konfirmim se u ka arritur ftesa për takim.

Story i mëparshëm

Borxhi i komunës së Gostivarit gati 8 milionë euro

Story i radhës

Sidomos në këtë periudhë, mjeku popullor tregon çajin me 3 përbërës që është ilaç për virozat e stinës

Të fundit nga