Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte përballet me Irlandën Veriore, sfidë kjo që luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Dardanët dhe irlandezët do ballafaqohen në kuadër të xhiros së tretë në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Kombëtarja jonë në duel me Irlandën Veriore hynë pas humbjes nga Greqia (0-1), dhe në duelin e sontem skuadra opsion të vetëm e ka fitoren.
Trajneri francez Alain Griesse, ka deklaruar se Kosova është gati për këtë duel, pavarësisht mungesave të rëndësishme në ekip, pasi për shkak të pezullimit të kartonëve mungojnë Arijanet Muriq dhe Fidan Aliti, derisa për shkak të lëndimeve në dyshim janë edhe Vedat Muriqi dhe Edon Zhegrova.
“Jemi në një situatë paksa të veçantë para ndeshjes me Irlandën e Veriut si pasojë e asaj që ndodhi në duelin e fundit me Greqinë, ku jemi pa dy lojtarë që u përjashtuan dhe këta i shtohen mungesave që i kemi. Jemi në vështirësi sa i përket pozicioneve të caktuara, pasi ata që mungojnë janë të rëndësishëm në pozitat e tyre. Mirëpo, padyshim se do të tentojmë t’i përshtatemi situatës, të përgatitemi dhe të kemi një paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Giresse.
Ndërkaq, trajneri i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough në konferencën për media një ditë para ndeshjes, e ka vlerësuar lart Kombëtaren e Kosovës.
Baraclough thotë se Kosova ka përbërje me lojtarë cilësorë, ndërsa ka veçuar tre futbollistë.
“Kosova ka në përbërje shumë lojtarë cilësorë dhe të nivelit të lartë. Unë vërtet jam i impresionuar me ekipin e Giresse, Rashica, Muriqi, Zhegrova e të tjerë janë shumë lojtarë të rrezikshëm. Do të shkojmë në secilën ndeshje për të fituar”, ka pohuar Baraclough.
Ndeshja mes Kosovës dhe Irlandës së Veriut nis në orën 20:45, derisa tashmë të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur, kështu që stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë i stërmbushur.