Në Gjermani, zgjedhjet u mbajtën në tri lande në shtator. Ato priteshin me padurim si një tregues i gjendjes politike në vend.
Rezultatet ishin katastrofale për partinë CDU të Kancelarit Friedrich Merz. Në Saksoni-Anhalt, pjesa e votave të CDU-së u përgjysmua dhe partia humbi pushtetin, siç ndodhi edhe në qytet-landin e Berlinit. Ndërsa humbja në Mecklenburg-Vorpommern ishte historike, sepse partia CDU nuk e kaloi as pragun zgjedhor – një situatë e paprecedentë në historinë e pasluftës.
Kancelari, i cili edhe më parë kishte një mbështetje të dobët, pësoi rënie edhe më të madhe në sondazhe. Edhe Qeveria e koalicionit që ai drejton – e përbërë nga CDU, CSU dhe SPD- ka mbështetje të dobët.
Vetëm një në dhjetë gjermanë është i kënaqur me performancën e Qeverisë dhe të Kancelarit. Të dy shifrat tregojnë nivele historike të ulëta. Edhe midis votuesve të CDU-së, vetëm 40 përqind janë ende të kënaqur me Kancelarin Friedrich Merz.
Këto thuhet në sondazhin e fundit të ARD-Deutschlandtrend, të bërë nga Instituti Infratest Dimap. Ai ka anketuar 1,303 votues nga 28 deri më 30 shtator.
AfD e para, CDU bie në 20 përqind
Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) – e cila përmban elementë të ekstremizmit të krahut të djathtë – vazhdon të përfitojë nga kjo pakënaqësi.
Nëse zgjedhjet e Bundestagut do të mbaheshin tani, Unioni CDU/CSU do të fitonte vetëm 20 përqind të votave. Ky është një nga rezultatet më të ulëta në historinë e tyre. Socialdemokratët (SPD) kanë ngecur në 13 përqind. Kjo do të thotë që tre partitë në pushtet nuk do të arrinin të fitonin as një të tretën e votave, që do të thotë se ato nuk do të kishin më shumicën parlamentare.
AfD aktualisht është e para me një mbështetje prej 27 përqind. Të Gjelbrit kanë bërë një përparim të lehtë, duke arritur në 16 përqind (+1), ndërsa Partia e Majtë ka regjistruar një rënie prej 1% dhe tani do të fitonte 11 përqind.
Liberalët (FDP) nuk do të kalonin pragun zgjedhor me 4%. E githa kjo tregon se krijimi i qeverisë aktualisht do të ishte mjaft i komplikuar.
Inteligjenca artificiale dhe Trumpi
Sfidat dhe krizat aktuale vazhdojnë të shkaktojnë pasiguri të konsiderueshme: dy të tretat e gjermanëve kanë frikë se njerëzit mund të humbasin kontrollin ndaj inteligjencës artificiale. Po aq janë të shqetësuar edhe për shkak të ndikimit të politikave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Gjermani.
Gjashtë nga dhjetë qytetarë janë të shqetësuar për ndryshimet klimatike, ndërsa gjasma kanë frikë se Rusia mund të sulmojë vende të tjera evropiane.
Rreth gjysma e gjermanëve kanë frikë edhe për standardin e tyre të jetës në të ardhmen. Një numër i ngjashëm njerëzish janë të shqetësuar edhe për emigracionin në Gjermani.
Megjithatë, shqetësimi më i madh i gjermanëve ka lidhje me pamundësinë e partive politike për të gjetur përgjigje të përbashkëta për çështjet më të rëndësishme politike.
Në përgjithësi, rreth 90% e njerëzve në Gjermani e shikojnë me shqetësim gjendjen aktuale.
Reformat sociale: Nevoja për drejtësi
Mosbesimi është veçanërisht i madh ndaj planve të qeverisë për reformat e planifikuara sociale. Gjermania është një komb që po plaket me shpejtësi. Fuqia punëtore në tkurrje duhet të financojë një numër gjithnjë e më të madh të pensionistëve. Ky proces plakjeje po shkakton një presion në rritje mbi sistemin e kujdesit shëndetësor.
Që nga viti 2015, numri i njerëzve që kanë nevojë për kujdes afatgjatë është rritur nga rreth 2.8 milionë në rreth 6.5 milionë – e ky numër po rritet.
Aktualisht vetëm një në gjashtë votues beson se qeveria federale gjermane do të ketë sukses në përgatitjen e sistemeve të sigurimeve për të ardhmen.
Është interesante se qytetarët tregojnë gatishmëri për të përballuar vetë një pjesë të kostove: pothuajse gjysma e tyre do të pranonin më parë që të rriten kontributet e sigurimeve sesa të përballeshin me shkurtime të përfitimeve shoqërore.
Ndryshe, rreth 75% e gjermanëve mendojnë se qeveria është larguar nga premtimet për lehtësim financiar. Megjithatë, situata nuk është e pashpresë, sepse gjysma e të anketuarve është e gatshme të pranojë masat shtrënguese, nëse ato janë të arsyeshme.
Mesazhi i votuesve për politikëbërësit është i qartë: reformat kërkojnë shpjegime dhe ekuilibër shoqëror – përndryshe, ato nuk do të pranohen nga publiku. / DW
Burimi: botasot.info


