Në qytetin e Pukës u mbajt sot “Sofra Pukjane”, një organizim i profesionistëve, biznesmenëve dhe qytetareve pukjanë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendlindjes se tyre, si dhe traditave historike dhe kulturore të kësaj zone. Bashkia e Pukës, me 41 fshatrat e saj, megjithëse me pasuri të shumta natyrore, mbetet një nga zonat më të varfëra në Veri të Shqipërisë. Gjatë 12 viteve të fundit nga Puka janë larguar drejt zonave të tjera të vendit ose ne emigracion thuajse gjysma e banorëve.
Sofra Pukjane bashkoi sot në vendlindjen e tyre shumë prej pukjanëve, të cilët ndër vite u larguan drejt zonave të tjera të vendit apo në emigracion në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Si të gjithë bashkitë e vogla në Veri të Shqipërisë edhe bashkia e Pukës, megjithëse me pasuri të shumta natyrore, me minerale dhe pyje, vazhdon të ketë ritme më të ulëta zhvillimi, krahasuar me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Në qytetin mund ta hiqni kockën në këmbë pa operacion
Presidenti i Sofrës Pukjane, Tonin Alia, thotë se kjo është edhe arsyeja që një grup qytetarësh, biznesmenë dhe profesionistë të njohur pukjanë, janë bashkuar në Sofrën Pukjane, një organizim ky që synon mbështetjen e vendlindjes dhe të traditave të pasura të zonës.
“Qëllimi i Sofrës Pukjane është bashkimi i biznesmenëve pukjanë në harmoni me njëri-tjetrin duke grumbulluar disa kontribute dhe për të ndihmuar Pukën dhe pukjanët. Njerëzit kanë lëvizur për të shkuar në vende më të mira, sidomos janë grumbulluar në Tiranë, Lezhë dhe në qytete të tjera, por kanë ikur edhe jashtë vendit, në emigracion. Ne po arrijmë në një fazë që të mundësojmë që njerëzit të kthehen këtu. Kanë filluar ndërtimet e shtëpive turistike, lokaleve dhe shumë veprave që nxisin njerëzit të kthehen dhe të kalojnë një turizëm një ditor e deri një javor”, tregon ai.
Bashkia e Pukës, me 41 fshatrat e saj, sipas Censusit të vitit 2011, kishte rreth 11 mijë e 100 banorë, ndërsa 12 vite më pas, sipas Censusit të fundit të vitit 2023, numri i banorëve thuajse është përgjysmuar duke zbritur në afër 6 mijë e 200.
Për Vera Mollën, drejtuese e fondacionit “Fjala e jetës internacionale”, synimi i tyre është mbështetja për vendlindjen si dhe ruajtja dhe përcjellja e traditave të saj tek brezat më të rinj, duke u përpjekur të lehtësojnë sado pak vështirësitë e jetesës për familjet në nevojë.
“ Fshatrat e Pukës janë shumë të bukura, zonat e thella janë shumë të bukura dhe prodhojnë gjithçka që ka nevojë njeriu të konsumojë, të shikojë me syrin e tij. Por mungon infrastruktura. Njerëzit e kanë kuptuar tashmë se çfarë është biznesi dhe turizmi, kanë tentuar të kthehen, por kemi akoma shumë mungesa për shkakun e infrastrukturës. Njerëzit nuk marrin shërbimet e duhura, prandaj është shumë e nevojshme dora e një Sofre, e shumë njerëzve së bashku, që t’i ndihmojmë”, thotë ai.
Megjithëse të larguar prej vitesh nga vendlindja, disa prej anëtarëve të Sofrës Pukjane kanë investuar vitet e fundit në ringritjen e kullave të tyre të vjetra dhe bujtinave, mbështetur në vlerat e traditës së zonës, duke i vënë në funksion të biznesit dhe turizmit.
Në takimin me kryetarin e Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, përfaqësuesit e Sofrës Pukjane ofruan mbështetjen e tyre për të investuar jo vetëm në drejtim të nxitjes sëbiznesit vendas, por edhe ruajtjes së vlerave tradicionale të kësaj zone, me kontribut në historinë dhe kulturën kombëtare.
Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, thotë se kohët e fundit ka patur një qasje shumë negative që ka nxitur largimin e të rinjve dhe të rejave jashtë shtetit.
“Kjo është një klimë që ne nuk do ta mbështesim, por do të krijojmë nundësi duke i hapur dyert. Duke u krijuar kushtet do të afrojmë biznesin privat me qëllim që ai të jetë një themel i fortë për zhvillimin ekonomik të Pukës”, thotë ai.
Pjesë e Sofrës Pukjane u bë edhe panairi “Agro Puka”, që nxit fuqizimin e familjeve përmes shfrytëzimit të frutave të egra të pyllit. Puka është një nga bashkitë e vogla në Veri të Shqipërisë, me një terren të vështirë malor dhe largësi nga qendrat e tjera urbane, një zonë që njihet për traditat e pasura atdhetare dhe kulturore, që meriton më shumë vëmendje, sidomos në drejtim të përmirësimit të jetesës dhe ekonomisë së banorëve./VOA
BURIMI: Bota Sot