S’mundet pa politikë! Herë zgjidhet, herë “lidhet” fati i paraleleve shqipe në Çashkë!

-Deri tash pengesa kryesore ishin prindërit e nxënësve maqedonas, të përkrahur nga deputeti i VMRO-së dhe kryetari i Komunës, ndërkaq tash, çuditërisht, edhe deputeti shqiptar nga radhët e LSDM-së, mendon se politizimin nuk e bëjnë ata që e pengojnë, por ministri i Arsimit…

Shkruan: indeks.mk

Sa duket se është gjetur zgjidhje për paralelen në gjuhën shqipe në Çashkë te Velesit, mbeten edhe më tutje pengesat që prej kohësh.
Një hap para, dy prapa!

Paralelja me gjashtë nxënës shqiptarë tashmë funksionon falë insistimit të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, dhe vullnetit të drejtoreshës së shkollës. Përveç këtyre nxënësve, shqyrtohet mundësia që edhe nxënësit e klasës së dytë që tashmë kanë mësuar maqedonisht të rikthehen në klasë të parë dhe të nisin mësimin në gjuhën amtare.

Mirëpo, e gjithë kjo, prej nëntorit është bërë halë në sy për prindërit maqedonas, të cilët dhe protestojnë dhe nuk i lënë fëmijët e tyre të ndjekin mësimin, duke dashur të pengojnë mësimin shqip në këtë shkollë. Një nga arsyetimet e tyre është se me statutin e shkollës, mësimi mund të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase!
Kur dikush proteston, publiku shpesh solidarizohet, sepse kërkojnë ndonjë të drejtë. Por a mund të përkrahet një protestë ku dikush kërkon që t’i pamundësohet dikujt realizimi i një të drejte të garantuar me kushtetutë?! Pikërisht ky është dhe “konflikti” midis Ministrisë së Arsimit që përpiqet të krijojë kushtet për fëmijët shqiptarë dhe strukturave të caktuara komunale e politike që duan të pengojnë të drejtën kushtetuese të arsimit në gjuhën shqipe?

Është paradoksal fakti se arsimimi në gjuhën shqipe është garantuar në të gjitha nivelet, ndërkaq gjendet dikush, atje, në një komunë, që manipulon me lloj-lloj pretekstesh për të penguar arsimin fillor, i cili u është garantuar edhe bashkësive më të vogla.
Ndaj, institucionet shtetërore nuk mund të mbështesin diçka që propagon diskriminimin, ndaj dhe është i drejtë edhe qëndrimi i drejtoreshës së shkollës fillore “Todor Janev”, e cila këto ditë deklaroi se institucionet do të veprojnë konform ligjit dhe do të marrin masa ndaj prindërve nëse vazhdojnë që fëmijët mos t’i dërgojnë në shkollë. Masat duken të buta dhe edukative: “… Nëse akoma vazhdojnë të mos e ndjekin mësimin, prindërit do të thirren nga bashkëpunëtorët profesionalë të cilët do ti udhëzojnë për parregullësitë që po bëjnë, do të marrin këshilla profesionale dhe nga prindërit do të kërkohet vërtetim për mungesat e nxënësve”.

Sipas ministrit të arsimit, nuk mund të flasim për integrim ndëretnik në shkollën fillore dhe të mesme, përderisa kemi raste të caktuara si në Çashkë dhe Gazi Babë, ku një palë nuk lejon nxënësit të mësojnë në gjuhën amtare.
Mirëpo, qarqe të caktuara, i trajtojnë këta nxënës të familjeve nomade pa adresë t përhershme, që nuk jetokan në Çashkë. Nuk dimë nëse ka logjikë dikush t’i dërgojë fëmijët e vet më larg vendbanimit ku jeton. Ndaj, ky është vetëm një pretekst për ta trajtuar Çashkën si mjedis të pastër etnik, ku të tjerët janë ardhacakë dhe të padëshiruar. Argumente këto, nga arsenali i paragjykimeve, siç në një mjedis si Velesi me rrethinë, janë trajtuar shqiptarët. Nëse dikush ekziston fizikisht aty, nuk mund të kthehesh vazhdimisht në histori për t’i trajtuar ardhacakë, ndonëse disa banorë të fshatrave të Çashkës(Vranovci i Epërm, Jabollçishtë…), kanë qenë të detyruar të ikin nga dhuna në Kosovë në kohën e Rankoviqit.

Se ka nxënës shqiptarë dhe se u është mohuar e drejta e arsimit deri tash, flet fakti se në këtë shkollë mësojnë nxënës shqiptarë, në paralelet më mësim në gjuhën maqedonase. Ata askujt nuk i kanë penguar sepse prindërit e tyre janë pajtuar për këtë, por u pengon vetëm kur kërkohet që të mësojnë në gjuhën amtare!
Këto ditë pati shumë deklarata për politizim, që domethënë, Ministri i paska dhënë kësaj gjëje atë dimension duke ia marrë kompetencat komunës, por harrojnë faktin se komuna dhe strukturat e vjetra të shkollës kanë mundur këtë çështje ta zgjidhin edhe pa këtë lloj “politizimi”, por nuk e kanë bërë, duke cenuar një të drejtë elementare. Edhe ai gjoja plan i komunës për të ndërtuar një shkollë tjetër, mund të jetë vetëm një pretekst për të amortizuar presionin për hapjen e paraleleve shqipe në shkollën ekzistuese të Çashkës, që është mënyra më e lehtë. Nëse dhe arrihet ndërtimi i një shkolle tjetër, ani, është e mirëseardhur, por nuk munden fëmijët t’i lihen së ardhmes së pasigurtë, kur me pak vullnet e me shtysë institucionale, pa ndërhyrje të politikës në fushën e arsimit, problemi të zgjidhet.

Habit fakti se ata që e akuzojnë ministrin e Arsimit për politizime, vetë i kanë dhënë dimension të tillë. Së pari, me zvarritjen shumëvjeçare dhe tash me deklaratat e pamatura. Në këtë kontekst, pa faj s’janë as kryetari i Komunës, as deputeti i zonës, që të dy nga LSDM-ja, që është një paradoks i veçantë, pasi ky i dyti dhe është banor shqiptar nga këto anë, por do të ishte i paplotë rasti nëse nuk do të fuste gishtërinjtë partia “më maqedonase”, VMRO-DPMNE, përmes deputetit të vet.

Tash, kur pas mosbërjes asgjë, ministri Jeton Shaqiri ia ka marrë ingerencat komunës, deputeti shqiptar, Muhamed Kadriov, i pyetur nga TV21, zgjidhjen e problemit e shikon me një kthim prapa: “Zgjidhja është kjo. Së pari t’i kthehen ingerencat kryetarit të komunës. Pastaj ne si politikanë, faktorë të asaj zone, të ulemi dhe ta gjejmë një zgjidhje. Njëra zgjidhje është të ulemi me prindërit nga Çashka, mendoj se do të pranojnë, që derisa ta ndërtojmë shkollën në Banjicë, fëmijët të mësojnë aty.”.

E po mirë, ku ishte deri tash komuna, këta fëmijë nuk kanë lindur sot në moshën 7 vjeçare si këpurdhat pas shiut, pse iu desh t’i merren kompetencat që të veprojë?
Është për të ardhur keq që problemi i arsimit has në këso pengesash, edhe kur me asgjë nuk mund të kontestohet dëshira e dikujt për të mësuar në gjuhën e vet në arsimin fillor. Kjo edhe një herë dëshmon se ende mund të manipulohet vullneti i njerëzve, në mjedise ku shqiptarët janë në pakicë dhe “larg syve” , ku shumicë absolute janë të tjerët, e ku ky fakt merret si argument për të gjykuar nëse dikujt do t’i lejohet ose jo e drejta e garantuar. /indeks.mk

Story i mëparshëm

VMRO: Qeveria po përgatitet për ryshfet masiv para zgjedhjeve

Story i radhës

Operatori i telekomunikacionit Fastweb do të ndërtojë një model AI në gjuhën Italiane

Të fundit nga

Shtanget Juventus

Manchester United ka hyrë në bisedime me mesfushorin e Juventusit, Adrien Rabiot. Kontrata e lojtarit francez