Qeveria sllovake do të kufizojë çmimet e energjisë për familjet vitin e ardhshëm, gjë që do t’i kushtojë vendit 6 miliardë euro subvencione dhe një kontratë me furnizuesin kryesor të energjisë elektrike, njoftuan sot zyrtarë qeveritarë.
Me masat e paralajmëruara, çmimet e energjisë elektrike për amvisëritë do të mbahen në të njëjtin nivel, ndërsa çmimet e gazit natyror dhe ngrohjes do të rriten për 15 për qind, tha kryeministri Eduard Heger në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, amvisëritë do të paguajnë mesatarisht 3 mijë euro më shumë për energji vitin e ardhshëm pa këto masa.
“Masat përfshijnë miratimin e një marrëveshjeje të mëparshme me furnizuesin dominues të energjisë elektrike, kompaninë Slovenske elektrarne, e cila do të dorëzojë një pjesë të prodhimit të saj të energjisë elektrike vitin e ardhshëm me çmime më të ulëta se çmimet e tregut”, tha ministri i financave Igor Matoviq.
Furnizuesit e gazit dhe ngrohjes do të kompensohen përmes subvencioneve për të ulur çmimin përfundimtar për konsumatorët, shtoi ai, duke theksuar se qeveria do të parandalojë gjithashtu rritjen e tarifave të furnizimit me energji.
Heger tha se këto masa janë të përfshira në projektbuxhetin për vitin 2023 që tani është në Kuvend, në të cilin qeveria nuk ka shumicën, ndaj miratimi i buxhetit është i pasigurt.
Qeveria njoftoi më herët se do të vendosë kufirin e sipërm të çmimeve të energjisë për kompanitë në tremujorin e parë të 2023, ndërsa ky hap varet nga miratimi i buxhetit.