Xhuliano Skuka luajti ndeshjen e parë si titullar me Shqipërinë dhe gjeti golin e parë me fanellën kuqezi. Sulmuesi i talentuar i Partizanit zhbllokoi ndeshjen ndaj Armenisë në “Air Albania”, teksa pas sfidës rrëfeu emocionet dhe diferencën që ka me kolegët e tij.
A e kishit menduar një vit e gjysmë më parë që do të luaje me Shqipërinë dhe do të gjeje golin në ndeshjen e parë si titullar?
Të them të drejtën, kam shumë besim në vetvete dhe e dija që do të arrija këtë moment, por nuk e prisja një debutim me gol.
Si e ndjeve veten në përfaqësuese?
Jam ndjerë shumë mirë, pasi djemtë më kanë afruar të gjithë, përfshi edhe stafin.
Çfarë duhet të bësh më tepër që të fitosh një vend fiks në kombëtare? Mos të duhet edhe një transferim jashtë?
Të them të drejtën e di që më duhet të punoj shumë, duke parë edhe cilësitë e kolegëve të mi në sulm. Duhet të përmirësoj më shumë gjendjen fizike, duhet ta rrit shumë më tepër.
E sheh veten të gatshëm të luash 90 minuta në ndeshje me intensitet të lartë?
Duhet shumë punë, duke parë gjendjen e futbollistëve që luajnë jashtë. Të them të drejtën kam pak mangësi, por në fazën përgatitore me Partizanin besoj që do të arrij formën më të mirë.