Tifozët e Interit padyshim që do të kishin dashur të gjenin disa rinovime të tjera nën pemën e Krishtlindjes. Sidomos një, atë të Milan Skriniar. Kontrata e lojtarit sllovak do të skadojë në qershor 2023, fantazma e një lamtumire me kosto zero po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme dhe e frikshme. Tifozët i frikësohen kësaj, ashtu si dhe klubi që do të shihte t’i zhdukej sa hap e mbyll sytë një kapital.
Më pas është aspekti padyshim teknik, pasi Skriniar është lider në fushë por edhe në dhomat e zhveshjes. Një lojtar themelor për Simone Inzaghin, një pikë referimi e vështirë për t’u zëvendësuar. Në verë, PSG dukej shumë afër, më pas marrëveshja nuk arriti dhe sllovaku mbeti në Milano, duke ia mbyllur dyert.
Negociatat për rinovimin kanë vazhduar prej disa javësh. Siç është thënë këto ditë, oferta e zikaltërve mbetet për katër vjet me pothuajse 7 milionë euro në vit, përfshirë bonuset.
Lojtari dhe menaxheri i tij po e vlerësojnë, edhe sepse në moshën 27-vjeçare e di se kjo mund të jetë zgjedhja më e rëndësishme e karrierës së tij.
Vendimi mund të arrijë edhe në janar, por ndërkohë presioni i klubeve të mëdhenj shkon nga Tottenham në Real Madrid dhe vetë PSG. Të gjithë e nuhasin mundësinë, në janar (e vështirë) si sidomos në qershor, falas.
Por kjo nuk është e gjitha, sepse lista e kërkuesve të Milan Skriniar duket se rritet çdo ditë që kalon. Një profil si ai, si lojtar i lirë, lakmohet pashmangshmërisht nga të gjithë ekipet e mëdhenj.
Pak si ajo që ndodhi me Rudigerin vitin e kaluar, i cili më pas përfundoi te Reali. Edhe sot në Angli po flitet me këmbëngulje për të ardhmen e ish-lojtarit të Sampdoria-s.
Sipas ‘TEAMTalk’, fakti që negociatat me zikaltrit po vazhdojnë prej kohësh, ka bërë që motorët e Premier Leagues të gjëmojnë. Dhe disa klube janë gati të bëjnë ofertat e tyre që në janar sipas rregullores, para-kontrata faraonike të cilat më pas do të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2023.
Në veçanti, PSG, por një mori skuadrash angleze: Liverpool, Manchester United, Chelsea, Tottenham, Newcastle dhe madje edhe Manchester City. Nëse Skriniar zgjedh të largohet nga Interi, do të jetë një garë e çmendur.