Disa ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, reagoi nëpërmjet një njoftimi në Facebook, duke deklaruar se janë gjetur shkelje në shoqërinë “Albecorp” sh.p.k., ende pa u kryer kontrolli nga ana e tatimeve.
Përmes një reagimi të ashpër në adresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kreut të saj, Ceno Klosi, shoqëria “Albecorp” sh.p.k shprehet se kemi të bëjmë me “një presion shtetëror i nivelit më të lartë të paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrave nga ana e Ceno Klosit”, ndërsa nënvizon të gjitha shkeljet që janë bërë nga Drejtoria e Tatimeve nga publikimi i një njoftimi të tillë.
DEKLARATA E SHOQËRISË “ALBECORP”
Duke marrë shkas nga një “Njoftim për Media” që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka nxjerrë në datë 02.03.2023, për shoqërinë “Albecorp” sh.p.k., dëshirojmë të informojmë opinionin publik se ky njoftim ka të dhëna të pavërteta, paragjykuese dhe është bërë në shkelje të plotë të legjislacionit në Republikën e Shqipërisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka kryer ndonjë kontroll tatimor ndaj shoqërisë “Albecorp” shpk dhe si pasojë nuk mund të prezumojë se shoqëria “Albecorp” shpk ka kryer shkelje sikundërse citon dhe publikon në njoftimin e saj për media. Aludimet dhe hipotezat e DPT-së nuk shërbejnë për asnjë gjë dhe janë pretendime abuzive në vazhdën e sulmeve që DPT-ja nën urdhrat e drejtuesit të saj, Ceno Klosi, po ushtron ndaj të gjitha shoqërive ku Z. Irfan Hysenbelliu është ortak. DPT-ja me këtë njoftim ka paracaktuar çdo konkluzion të çdo inspektimi tatimor që planifikon të kryejë ndaj shoqërisë “Albecorp” shpk, duke u paracaktuar inspektorëve konkluzionet e inspektimit si dhe masat e gjobave që inspektorët duhet të nënshkruajnë.
Ndodhur në situatën që nga ana e DPT-së nuk ka filluar asnjë kontroll tatimor ndaj shoqërisë “Albecorp” shpk, ky njoftim për media është një presion shtetëror i nivelit më të lartë të paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrave nga ana e Ceno Klosit. Për shoqërinë “Albecorp” shpk, drejtori i DPT-së ka nxjerrë një shkresë për verifikime dhe ashtu siç duket qartë, me urdhër të tij është publikuar ky njoftim mediatik para kohe, pa pritur përgjigje apo verifikime zyrtare për sa vetë Ceno Klosi ka kërkuar.
Njëkohësisht, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shkelur ligjin duke publikuar të dhëna personale dhe të mbrojtura me ligj. Ligji Nr. 9920, datë 19.5.2008 parashikon mbrojtjen e të dhënave që DPT-ja trajton duke vendosur ndalimin e publikimit të këtyre të dhënave dhe ruajtjen e tyre konfidenciale. Publikimi i të dhënave të çdo biznesi nga ana e tatimeve si “Njoftim për Media” është shkelje e rëndë dhe e papranueshme, kur nga vetë ana e DPT-së pritet ruajtje e konfidencialitetit dhe jo publikim mediatik i informacioneve tatimore, mbi të gjitha nëse janë informacione janë të pasakta dhe të paverifikuara. Në njoftimin e saj për media, DPT-ja aludon se ndaj saj ka një sulm mediatik me fokus drejtorin, Ceno Klosi.
Duam të sqarojmë se mediat në pronësi të Z. Hysenbelliu nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë ushtruar profesionalisht funksionin e tyre në shërbim të informimit publik, duke iu referuar në mënyrë transparente burimeve dhe të dhënave, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme. Nëse DPT-ja dhe drejtori i saj i përgjithshëm e konsideron të drejtën e informimit publik si sulm mediatik, atëherë duhet t’i përgënjeshtrojë ato si dhe të zbatojë ligjin duke provuar të kundërtën në organet gjyqësore.
Sulmet e vazhdueshme të Ceno Klosit, nëpërmjet presionit të strukturave që drejton, kanë nisur që nga viti 2022 ndaj shoqërive të Z. Irfan Hysenbelliu dhe kanë vetëm një qëllim, vendosjen e gjobave të majme në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të plotë me ligjin. Të gjitha shkeljet ligjore të DPT-së, përfshirë edhe këtë njoftim për media, janë adresuar në strukturat përkatëse ligjore dhe shprehim besimin se të gjitha paligjshmëritë e DPT-së dhe punonjësve të saj do të dalin në pah dhe do të marrin ndëshkimin e duhur ligjor.
Gjejmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjithë nëpunësve të DPT-së dhe organeve të tjera ligjzbatuese që të gjejnë kurajën institucionale për të mos zbatuar urdhrat e paligjshme dhe politike të drejtuesve të tyre, por t’u qëndrojnë korrekt detyrave të tyre në përputhje me ligjin.