Skandali i përgjimeve po e njollos sërish imazhin e Greqisë

min lexim

Gati 30 vjet më parë, parlamenti grek votoi për gjykimin e Kostandin Mitsotakis, ish-kryeministër i vendit, për përfshirjen e tij të dyshuar në një skemë për përgjimin e kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve.

Por ajo çështje në fund u mbyll, pasi partia në pushtet, PASOK, argumentoi në një përzierje të bujarisë dhe llogaritjeve politike të bazuar tek interesat vetjake, se duhet të binin akuzat ndaj Mitsotakis. Tani Kyriakos Mitsotakis, djali i ish-kryeministrit, dhe kryeministër i Greqisë që nga viti 2019, është në qendër të një skandali të ngjashëm.

Koha do të tregojë nëse ai do të jetë subjekt i ndonjë padie gjyqësore. Ndërkohë, pyetjet e shumta pa përgjigje rreth kësaj afere, po hedhin një hije të fortë dyshimi mbi qeverinë e Mitsotakis. Dhe kjo çështje ka jo pak rëndësi, sepse imazhi i Greqisë ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm që nga vitet e krizës së viteve 2010, i cila në shumë aspekte ka qenë e justifikuar.

Dikur dukej e mundshme që problemet e borxhit mund të çonin deri edhe në një falimentim katastrofik të vendit dhe daljen e tij nga eurozona, duke e kërcënuar seriozisht bashkimin monetar të Evropës. Politika greke shumë u polarizua me zgjedhjen si forcë të parë në vitin 2015 të SYRIZA, një parti rebele që formoi qeverinë e majtë më radikale në një demokraci evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton abcnews.al.

Dalëngadalë, por me siguri, gjërat ndryshuan për mirë. Nën qeverisjen e një SYRIZA me pozicione paksa më të zbutura, dhe më pas të partisë Demokracia e Re të Mitsotakis, Greqia përmbushi me aq sukses kushtet e kreditorëve të saj, saqë Bashkimit Evropian njoftoi në gusht fundin e “mbikëqyrjes së zgjeruar” të politikave fiskale dhe ekonomike greke.

Po ashtu, Greqia u bë një partnere e çmuar e Brukselit në trajtimin e problemeve rajonale. Marrëveshja me Maqedoninë e Veriut mbi emrin e kësaj të fundit, i dha fund njërës prej mosmarrëveshjeve diplomatike më të vështira në Ballkan. BE-ja e lavdëron Greqinë edhe për rolin e saj në mbajtjen e emigrantëve të padëshiruar nga vendet e tjera. Athina ka qenë një aleate besnike e NATO-s në mbështetjen e Ukrainës pas pushtimit të gjerë të Rusisë në fundin e muajit shkurt.

Por për fat të keq, skandali i përgjimeve sugjeron se jo çdo gjë është pozitive në politikën dhe qeverisjen e Greqisë së pas krizës. Pas marrjes së detyrës si kryeministër, Mitsotakis vuri nën kontrollin e tij EYP, shërbimin kombëtar të inteligjencës, dhe emëroi në krye të tij Panagiotis Kontoleon, kreun e një kompanie private të sigurisë.

Kontoleon dha dorëheqjen në gusht, kur EYP pranoi se kishte përgjuar telefonin e kreut të PASOK, Nikos Androulakis. Zyrtari që e pasoi ishte Grigoris Dimitriadis, sekretari i përgjithshëm i kryeministrit aktual, që kishte për detyrë mbikëqyrjen politike të EYP-së. Dimitriadis është edhe nipi i Mitsotakis. Të hënën Mitsotakis përsëriti deklaratat e mëparshme, duke mohuar se ka pasur gisht në këto përgjime, raporton abcnews.al.

Por skandali vazhdon, sepse çështja Androulakis nuk është një rast i izoluar. Dikush – as ne dhe as EYP thotë e indinjuar qeveria greke – e ka përdorur ilegalisht pajisjen e përgjimit “Predator” të blerë nga Izraeli për të hakeruar telefonat e figurave të tjera publike, duke përfshirë edhe ato të gazetarëve investigativë.

Një komitet i Parlamentit Evropian që po shqyrton përdorimin e paligjshëm të përgjuesve vizitoi Athinën javën e kaluar në kërkim të përgjigjeve, por u largua i pakënaqur. Sophie Veld, një eurodeputete holandeze, u ankua hapur se autoritetet greke nuk po kryenin “një hetim serioz për zbulimin e përgjegjësve për këtë shkelje”.

Dhe ky nuk është i vetmi mister i këtij lloji në të kaluarën e afërt të Greqisë. Në prag të Lojërave Olimpike të Athinës të vitit 2004, u përgjuan për muaj të tërë telefonat e rreth 100 personave, duke përfshirë kryeministrin e atëhershëm të vendit Kostas Karamanlis.

Një dekadë më vonë, u zbulua se përgjimi mund të ketë qenë pjesë e një operacioni të fshehtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që synonte parandalimin e një sulmi terrorist gjatë aktivitetit të madh sportiv.

Ndërkohë në lidhje me skandalin aktual, zyrtarët grekë kanë bërë aludime të zymta në lidhje me përfshirjen e vendeve të huaja, dhe kanë përmendur rregullat mbi sekretet shtetërore për të justifikuar mbajtjen e fshehtë të kësaj çështje.

Por sa më shumë që qeveria e Kyriakos Mitsotakis e vonon një shpjegim mbi këtë skandal, aq më shumë duket sikur ajo ka realisht diçka për të fshehur. Zvarritja e sqarimeve të nevojshme mbi këtë çështje rrezikon të shkaktojë akoma më shumë dëme në imazhin e një vendi me një qeveri të qëndrueshme dhe të rregullt, të cilin Greqia e ka rifituar me shumë mundim.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pritet të jetë së shpejti në treg, helikopteri elektrik e kalon provën (VIDEO)

Story i radhës

Aksident trafiku në Gjorçe Petrov

Të fundit nga