S’ka vend për panik për paralajmërimet e Kurtit për sulme

December 31, 2024
min lexim

Zhurmat dhe kërcitjet gjatë periudhës së festave të fundvitit, janë evidente gjithmonë. Ato vijnë nga mënyra se si qytetarët zgjedhin të kalojnë këtë festë, kudo nëpër botë.

Por, zhurma e kërcitje të tilla nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist, sikurse ai në Ibër-Lepenc natën e 29 nëntorit, mund të shënohet sërish.

Kështu të paktën paralajmëroi kryeministri Albin Kurti, më 24 dhjetor në një konferencë për media.

Sipas shefit të qeverisë, kjo mund të vijë nga Serbia ose grupet që ajo financon.

“Sulme të tjera terroriste dhe sabotazhe ndaj infrastrukturës kritike dhe objektivave të tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri. Janë paralajmëruar nga organizatat terroriste që po strehohen në Serbi duke përmendur festat e fundvitit dhe Krishtlindjen ortodokse. Sulmet mund të synohen të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi, protestat e vazhdueshme opozitare atje”, u shpreh Kurti.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, shtoi ai.

Politikani që udhëheq me ekzekutivin e vendit, theksoi se “jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë  ta neutralizojmë maksimalisht”.

Policia me plan operativ për parandalimin e të keqes

Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ “Fundviti – 2024 dhe fillimi i 2025”, që të parandalojë dhe luftojë dukuritë negative dhe aktet e ndryshme kriminale.

Në një komunikatë të lëshuar më 24 dhjetor, PK-ja tha se në kuadër të këtij plani, kanë angazhuar personel shtesë.

“Përmes këtij plani është paraparë angazhim i personelit shtesë të PK-së, me shtim të prezencës policore në rrugë dhe në ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve dhe kësisoj do të bëhet i mundur parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale”, shkruan në njoftimin e publikuar në Facebook.

Policë të mjaftueshëm në veri të vendit, të gatshëm për të hyrë kudo

Duke pasur parasysh që dy sulme të mëdha terroriste që kishin për qëllim të dëmtonin rëndë Kosovën, ai i Banjskës dhe i Ibër-Lepencit ndodhën në veri të vendit, ky rajon duket të jetë caku i dashakeqëve.

Zëvendësdrejtori i policisë për veriun e vendit, Veton Elshani, gjatë një bashkëbisedimi me Klankosova.tv, vlerësoi se ka numër të mjaftueshëm të policëve në atë zonë, sidomos pas shpërthimit në Ibër-Lepenc.

“Policia e Kosovës është me numër të mjaftueshëm të policëve në veri të vendit, sidomos pas shpërthimit që ndodhi në Ibër-Lepenc. Konsiderojmë që ka numër të mjaftueshëm të tyre, për t’i kryer punët rutinore, ditore, edhe nëse ka angazhime shtesë ne jemi këtu. Sidoqoftë, në rast se ndodh diçka, ne kemi edhe policë shtesë që mund t’i sjellim”, u shpreh ai.

Tutje, Elshani theksoi se që nga rasti i Banjskës, vlerësojnë që sulme të ngjashme mund të ketë sërish.

“Që nga rasti i Banjskës, me rastin e ikjes së disa personave që kanë qenë aty në grup, ne vlerësojmë që derisa ai grup është i lirë, ekziston rreziku që një sulm mund të përsëritet. Ne jemi të përgatitur”, deklaroi Elshani.

Edhe pse sipas tij mund të realizohet një veprim që prish qetësinë e shtetit, ai theksoi se fakti që zyrtarët që ka nën mbikëqyrje janë në mbarë veriun e vendit është një parandalim në vete.

“Ne jemi në mbarë veriun e vendit, kjo është parandalim. Jemi pothuajse në secilin vend, në rast se ndodh diçka mund të përballemi me atë situatë. Nuk ka ndonjë vend ku ne mund të themi: nuk po shkoj, se po rrezikohem”, tha Elshani.

“Nuk ka” vend për panik, institucionet e sigurisë së Kosovës kanë planet operative dhe strategjitë e tyre

Eksperti i Sigurisë Avni Islami, gjatë bashkëbisedimit me Klankosova.tv, tha se pas paralajmërimit të kreut të qeverisë, brenga duhet të jetë për të gjithë, ndërsa theksoi se s’ka vend për panik ose pasiguri.

“Pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti, brenga duhet të jetë për të gjithë. Sepse, ne pamë sulmin e fundit terrorist nga ana e strukturave shtetërore të Serbisë, së bashku me grupet kriminale. Ata që kryen sulmin në Ibër-Lepenc, ishin profesionistë”, u shpreh ai.

Megjithatë, Islami vlerëson se nuk ka vend për panik ose pasiguri, sepse siç thotë ai, institucionet kanë planet operative dhe strategjitë e tyre që të parandalojnë akte të ndryshme kriminale dhe terroriste.

“Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, unë nuk shoh ndonjë panik ose pasiguri, sepse institucionet e sigurisë së Kosovës kanë planet operative dhe strategjitë e tyre, që të parandalojnë aktet e ndryshme kriminale dhe terroriste”, deklaroi ai.

Njohësi i fushës së sigurisë tha se çdo vit para festave, qoftë në Kërshëndella ose Vitit të Ri, ka pasur paralajmërime të tilla.

Ai vlerëson se nuk sheh që diçka mund të ndodh, sepse sipas tij çdo sulm i tillë do t’i faturohet vendit fqinj.

“Asnjë vend në botë nuk është imun ndaj sulmeve terroriste, madje as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk shoh ndonjë gjë që mund të ndodh, sepse çdo sulm i tillë do t’i faturohet Serbisë”, deklaroi Islami.

Cili është qëllimi i sulmeve terroriste?

Eksperti i Sigurisë Avni Islami, mes tjerash theksoi se sulmi terrorist ka të vetmin qëllim, që të rritet efekti i frikës dhe pasigurisë te masat e gjera.

“Sulmi terrorist ka të vetmin qëllim, që të rritet efekti i frikës dhe pasigurisë te masat e gjera. Zakonisht terroristët përdorin vendet ku tubohen njerëzit, që efekti të jetë sa më i madh, që të merreshin mediat, qeveritë e ndryshme të botës apo të atij vendi”, u shpreh ai.

Islami, tutje tha se në Kosovë ka një terrorizëm të veçantë.

“Mirëpo, unë mendoj se në Kosovë ka një terrorizëm të veçantë. Këtu kemi të bëjmë me terrorizëm shtetëror serb, duke kryer një akt terrorist në një shtet tjetër. Strukturat e tilla që kanë kryer akte terroriste, janë të dirigjuara drejtpërsëdrejti nga shteti serb”, deklaroi Islami.

Sytë dhe veshët e AKI-së të dobishëm për vendin

Islami tha se sikurse çdo vit janë ndërmarrë masat për parandalimin e të keqes, ndërsa përmendi se vendet e frekuentuara më shumë nga qytetarët, duhet të jenë nën vëzhgim të vazhdueshëm.

“Sikurse çdo vit, edhe tash janë ndërmarrë masat. Vendet kyçe ku janë të frekuentuara, ose vendet ku mund të ketë vizitorë, turistë, aty do të jenë ato pikat strategjike ku duhet të mbulohen, dhe të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm”, deklaroi ai.

Eksperti në fund të bashkëbisedimit me Klankosova.tv, theksoi se AKI-ja ka kryer një punë të palodhshme, dhe se në çdo hap është duke parandaluar sulme të tjera.

“Pastaj një punë e palodhshme që deri më tani ka kryer Agjencia Kosovare e Inteligjencës, e cila në çdo hap është duke parandaluar dhe sulmet të tjera. Por, edhe ka kryer një punë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, por këtë vit së bashku me Policinë e Kosovës kanë kryer një efikasitet të lartë në parandalimin dhe luftimin qoftë të kriminalitetit, qoftë bandave të ndryshme kriminale, por edhe akteve terroriste”, u shpreh Islami.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Statistikat/ Oferta e lekut u zgjerua në vjeshtë, arriti rekord të ri për tre vitet e fundit

Story i radhës

Apple ndërpret shitjen e pajisjeve me portën Lightning në Europë

Të fundit nga

ShkoLartë