Edhe këtë fundvit, mësuesit nuk do të marrin shpërblim, një tjetër penalizim ky pas heqjes së pagës së 13. Sindikata e Arsimit thotë se kjo mungesë vlerësimi lidhet me buxhetin e ulët që i është akorduar arsimit, i cili mbulon vetëm pagat duke hequr çdo mundësi stimulimi për punonjësit e sistemit arsimor.
Pasi u hoqën rrogën e 13, mëusesve iu mohua edhe shpërblimi i fundvitit prej afro 10 mijë lekë të rinj.
Korrigjimi i kësaj mungese vlerësimimi është edhe një ndër kërkesat kryesore të Sindikatës së Arsimit ndaj qeverisë.
Isa Halilaj e lidh këtë gjendje me buxhetin e ulët që i është lënë sektorit të arsimit.
“Në vitin 2013, në fushatën elektoralen të asaj periudhe u propagandua dhe u premtua rroga e 13, por në vend të saj u hoq edhe 100 mijë lekëshi shpërblim.Që në momentin që ke një buxhet poshtë 3% të GDP për arsimin atëherë ato nuk janë të mjaftueshme as për rroga cilësore.”
Në kushtet kur nuk shpërblehen për punën e një viti, mësuesit vijojnë të dalin në punë, edhe pse zyrtarisht i kanë marrë pushimet përpara festës së Krishtlindjes.
“Një pjesë e mësuesve vazhdojnë të merren me hedhjen e notave në sistem.U është thënë që deri në datë 30 të gjitha duhet të hidhen”.
Për fundvit, qeveria dha shpërblim vetëm për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, duke përjashtuar të gjithë pjesën tjetër të administratës.