Situata e tensionuar, shkollat shqiptare në veri të Kosovës vazhdojnë mësimin

December 12, 2022
min lexim

Të hënën, në një shkollë shqiptare në veri procesi mësimor është mbajtur pjesërisht, ndërsa në fshatrat tjera të banuara me shumicë shqiptare mësimi është duke u zhvilluar normalisht.

Për shkak të mungesës së sigurisë, më 12 dhjetor, procesi mësimor në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Kosovës, është mbajtur pjesërisht.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Gacaferri.

“Sot mësimi është mbajtur vetëm me ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, kurse me nxënësit më të rritur, nga klasa e gjashtë deri të nëntën, nuk është mbajtur. Kjo për shkak se prindërit i kanë tërhequr fëmijët e rritur nga Kodra [e Minatorëve] në pjesën jugore të Mitrovicës”, tha ai.

Në këtë shkollë procesin mësimor në të gjitha paralelet e vijojnë 17 nxënës shqiptarë.

Sa i përket vazhdimit të mësimit të martën, Gacaferri tha se janë në kontakt me “prindërit e nxënësve”.

Përveç në këtë shkollë, mësimi në fshatrat tjera të banuara me shumicë shqiptare është duke u zhvilluar normalisht, tha nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri.

Ai tha se për shkak të tensioneve të veri të Mitrovicës janë në koordinim me institucionet e sigurisë edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Nëse rekomandohet nga organet e sigurisë se mësimi duhet të ndërpritet ne do marrim një vendim të tillë. Normalisht që qytetarët janë më të shqetësuar për sigurinë e tyre, por mësimi është duke vazhduar”, tha ai.
Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, mësimi është ndërprerë në shkollat serbe fillore dhe të mesme – në katër komunat në veri të Kosovës. Ato nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Kështu i tha REL-it paraditen e së hënës drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Tashmë e vërtetuar shkencërisht, këto 4 sjellje janë tipike të prindërve toksikë

Story i radhës

Administrata Biden do të thjeshtojë rregulloret për fluturimet hapësinore

Të fundit nga

ShkoLartë