Sistem i ri në fushën e transplantit të mëlçisë i zhvilluar nga shkencëtarët turq: 33 pacientë rikthejnë shëndetin

Në Malatya të Türkiyes, 33 pacientë me probleme në mëlçi rifituan shëndetin e tyre me transplant, pasi Qendra Mjekësore Turgut Özal pranë Universitetit İnönü zbatoi sistemin e dy shkencëtarëve turq nga Boston College në SHBA, Prof. Dr. Tayfun Sönmez dhe Prof. Dr. Utku Ünver, një sistem që përputh donatorët për transplantet e mëlçisë duke përdorur algoritme dhe softuer kompjuterik.

Drejtori i Institutit të Transplantit të Mëlçisë në Qendrën Mjekësore Turgut Özal pranë Universitetit Inönü, Prof. Dr. Sezai Yılmaz, në një deklaratë për Anadolu tregoi se dhurimi i organeve nga kufoma është tejet i pamjaftueshëm, duke potencuar se pacientët që duan të bëjnë transplant të mëlçisë duhet të gjejnë një donator.

Ai tregoi se në institutin që ai drejton, deri më tani kanë bërë mbi 3.500 transplante, prej të cilëve 85 për qind janë nga donatorë të gjallë, kurse 15 për qind nga kufoma.

Duke shpjeguar se vetëm 30-40 për qind e donatorëve të gjallë përputhen me pacientët dhe se një person që nuk përputhet me pacientin e tij mund të përputhet me një tjetër, Yılmaz tha se transplantimi i kryqëzuar është kryer me shkëmbimin e donatorëve dhe të dy pacientët kanë rifituar shëndetin.

Mes tjerash, ai rikujton se në vitin 2019 kanë bërë transplantimin e 5 mëlçive në të njëjtën kohë, ndërsa pas kësaj, Prof. Dr. Sönmez, i cili kishte zhvilluar sistemin e transplantimit të kryqëzuar, ka vizituar spitalin e tyre dhe kanë vendosur zbatimin e sistemit që ata kishin zhvilluar.

“Është një sistem shumë i zhvilluar. Sipas mendimit tim, është një ndër modelet më të rëndësishme të matematikës në botë. Përputh pacientët që presin në listë, por bëhet fjalë për transplante të kryqëzuara më shumë sesa ato dyshe”, tha Yılmaz duke shtuar se Tayfun Sönmez këtij modeli ia ka dhënë emrin e bashkëshortes që ka ndërruar jetë, “Sistemi i Transplantit të Kryqëzuar të Mëlçisë Banu Bedestenci Sönmez”.

Transplanti ka vazhduar pavarësisht tërmetit

Për shkak të periudhës së COVID-19, Yılmaz shpjegon se këtë sistem janë detyruar ta zbatojnë në fund të vitit 2021, ndërsa pavarësisht tërmetit të 6 shkurtit 2023 në Türkiye, në prill të këtij viti kanë kryer një transplant të kryqëzuar të trefishtë.

“Më pas realizuam transplant të kryqëzuar të katërfishtë. Kjo bëri një impakt të madh. Tashmë njerëzit para së gjithash për të rifituar shëndetin edhe nëse janë donatorë të papërputhshëm i sjellin dhe i vendosin në këtë listë, që falë algoritmit në mënyrë të lehtë kanë arritur të bëjnë transplant”, tha ai, duke u bërë thirrje atyre që kanë donatorë të papërputhshëm patjetër të vizitojnë Universitetin Inönü dhe të kërkojnë ndihmë.

Yılmaz gjithashtu tregoi se me transplantet që kanë bërë kanë tërhequr vëmendjen në mbarë botën, duke shtuar se spitale si “Queen Elizabeth” në Birmingham të Britanisë së Madhe, Universiteti i Gentit nga Belgjika, një spital nga Holanda janë në kontakt me Qendrën e tyre.

“Dërgojnë akademikët e tyre me qëllim edukativ. Kjo është shenjë se çfarë rëndësie kemi”, shtoi ai.

“Qendra jonë më e rëndësishmja në Evropë dhe botë”

Rektori i Universitetit Inönü Prof. Dr. Ahmet Kızılay, nga ana tjetër tha se janë i vetmja qendër në Türkiye që bën transplante të shumëfishta të mëlçisë, duke shtuar se bëjnë përgatitje për transplante të pesëfishta dhe gjashtëfishta.

Sipas tij, transplantet kryqëzuara kanë hapur një fushë të re në turizmin shëndetësor.

“Instituti i Transplantit të Mëlçisë në Qendrën Mjekësore Turgut Özal pranë Universitetit Inönü është qendra më e rëndësishme e Türkiyes, Evropës, botës”, tha Kızılay, duke shtuar se për transplantet që thuhet se “nuk mund të bëhen” në qendra tjera, kanë arritur t’i bëjnë.

“Nga çdo vend i botës na vijnë pacientë për të bërë transplant të mëlçisë. Tashmë mbi 20 mjekë të huaj janë duke marrë trajnime te ne”, shtoi ai.

Ai gjithashtu vuri në dukje se janë një qendër shkencore që kryen kërkime shumë të rëndësishme dhe përcakton metoda të reja dhe sjell metoda të reja në mjekësi.

“Ekipi që më parë kishte kryer transplante të kryqëzuara të veshkave mori Çmimin Nobel. Shpresojmë që edhe ekipi ynë që bën transplante të kryqëzuara të mëlçisë të marrë Çmimin Nobel dhe ta kurorëzojmë këtë sukses të mirë”, theksoi rektori Kızılay.





Story i mëparshëm

​Eksploruesi amerikan Dickey u nxor nga një shpellë në Turqi

Story i radhës

Intel prezanton Thunderbolt 5 me shpejtësi 120Gbps, mbërrin në 2024

Të fundit nga