Situata në veri të Kosovës nuk është edhe aq e qetë.
Që pas sulmit terrorist, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm në kanalin e “Ibër-Lepencit”, policia ka shtuar aksionet e saj.
Së fundi, Policia e Kosovës, kreu bastisje në dy lokacione të ndara në Komunën e Zubin Potokut.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, derisa konfirmoi aksionin, potencoi edhe se në dy këto lokacione janë konfiskuar pajisje të ndryshme ushtarake, uniformë, jelek, antiplumb, radiolidhje edhe një pushkë gjuetie.
“Kemi bërë dy bastisje në Zubin Potok, njëra në Varagë”, ka thënë ai për mediat vendore.
Sipas tij lidhur me këtë rast janë duke u intervistuar dy persona.
Duket se ende ka ‘mbetje’ të bandave serbe, ku këtë po e konfirmojnë edhe armatimet e sekuestruara.
Kësisoj, hidhen dyshime se gjithë ky armatim është sinjal se mund të ketë sulme të reja.
Kurse, kujtojmë se vetëm ditë më parë, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se beteja e vazhdueshme e autoriteteve të Kosovës për shtirje të sovranitetit në pjesën veriore të vendit, ka demaskuar aspiratat e Serbisë për territorin e Kosovës, dhe që pjesëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë qenë të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri.
E në lidhje me mundësinë e sulmeve të reja, dhe se çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, folën ekspertët e sigurisë.
Shala: Konfiskimet si indikacione të veprimtarive kriminale
Së pari, eksperti Drizan Shala potencoi se gjetjet e policisë në aksionet e fundit në veri, tregojnë se kemi një situatë të ndërlikuar.
Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se grupet kriminale serbe ende përmbëjnë kërcënim për vendin.
“Ky aksion i Policisë së Kosovës në Zubin Potok, veçanërisht konfiskimi i uniformës policore, pushkës së gjuetisë dhe jelekut antiplumb, tregon për një situatë të ndërlikuar në veri të Kosovës, ku grupet kriminale mund të jenë duke operuar dhe mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë”.
Po ashtu, Shala bëri një analizë të situatës, ku ndërlidhi konfiskimet me Indikacionet e mundshme të destabilizimit, si dhe foli për qasjen institucionale karshi këtyre ngjarjeve.
“Analiza e situatës:
Konfiskimet si indikacione të veprimtarive kriminale:
Uniforma policore: Mund të jetë përdorur për të krijuar konfuzion ose për të kryer veprime të paligjshme duke u paraqitur si pjesëtarë të institucioneve të sigurisë. Kjo është një praktikë që mund të minojë autoritetin e ligjit dhe të rrisë ndjenjën e pasigurisë.
Pushka e gjuetisë dhe jeleku antiplumb: Tregon për një nivel të përgatitjes dhe mund të jetë pjesë e një arsenal armësh që përdoret nga grupe të strukturuara, potencialisht për qëllime destabilizuese.
Indikacionet e mundshme të destabilizimit:
Veriu i Kosovës ka qenë një pikë e tensioneve historike dhe aktivitetet kriminale të grupeve serbe atje kanë qenë një sfidë e vazhdueshme.
Këto konfiskime mund të tregojnë për përpjekje të këtyre grupeve për t’u pajisur dhe përgatitur për veprime të mundshme që do të minonin sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Qasja institucionale e Policisë së Kosovës:
Ky aksion tregon angazhimin e Policisë së Kosovës për të vendosur rend dhe ligj edhe në zonat ku përballen me sfida më të mëdha. Një veprim i tillë demonstron përkushtimin e institucioneve për të parandaluar çdo përpjekje për destabilizim”, shpjegoi ai.
Tutje, eksperti i sigurisë tregoj se si duhet vepruar më tej, ndërsa kërkoi një hetim më të thellë dhe bashkëpunim intensiv me ndërkombëtarët.
“Çfarë duhet të bëhet më tej?
Hetim i thelluar: Është e rëndësishme që autoritetet të vazhdojnë hetimet për të identifikuar rrjetet dhe individët që qëndrojnë pas këtyre veprimeve.
Bashkëpunim ndërkombëtar: Duke qenë se grupet kriminale shpesh kanë lidhje përtej kufijve, bashkëpunimi me organizata si EULEX dhe institucionet ndërkombëtare është thelbësor.
Përfshirja e komunitetit: Autoritetet duhet të forcojnë komunikimin me qytetarët në veri për të rritur besimin dhe për të siguruar bashkëpunimin e tyre në luftën kundër aktiviteteve kriminale”, nënvizoi Shala.
Ndër të tjera, tha se këto aksione të policisë sonë janë hap i rëndësishëm për të parandaluar për të parandaluar destabilizimin e situatës.
“Këto konfiskime janë një tregues serioz që grupet kriminale në veri mund të synojnë të destabilizojnë situatën, por aksionet e Policisë së Kosovës janë një hap i rëndësishëm për të parandaluar çdo përpjekje të tillë. Institucionet duhet të jenë vigjilente dhe të vazhdojnë të demonstrojnë përkushtim për sundimin e ligjit në të gjitha pjesët e vendit”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Gecaj: Konfiskimi i një uniforme policore është një sinjal shqetësues
Gjithashtu, edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj tha se aksionet dhe konfisikimet e fundit të policisë në rajonin e veriut janë shenja se kjo pjesë e vendit kërkon vëmendje të shtuar.
“Diçka e thënë dhe e paralajmëruar edhe më parë nga ana ime dhe disa kolegëve të mi rreth sigurisë në veri. Bastisjet e kryera nga Policia e Kosovës në veri, përfshirë konfiskimin e uniformës policore, pushkës së gjuetisë dhe jelekut antiplumb, mund të jenë indikacione të një situate që kërkon vëmendje të shtuar. Këto aksione shpesh vijnë si pjesë e përpjekjeve për të luftuar grupet kriminale dhe për të parandaluar aktivitete që mund të destabilizojnë rajonin, veçanërisht në një zonë që historikisht ka qenë e ndjeshme për shkak të tensioneve ndëretnike dhe politike”.
Gecaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” dha disa komente mbi ngjarjet e fundit në veri, derisa foli për grupet kriminale, destabilizimin dhe tensionet e mundshme në këtë pjesë të vendit.
“Komente mbi situatën:
1. Grupet kriminale dhe uniformat policore: Konfiskimi i një uniforme policore është një sinjal shqetësues, pasi sugjeron që individë të caktuar mund të tentojnë të përdorin simbolet e autoritetit për qëllime të paligjshme. Kjo mund të përfshijë krijimin e konfuzionit ose kryerjen e veprimeve kriminale duke u paraqitur si përfaqësues të institucioneve shtetërore.
2.Tensione të mundshme në veri: Çdo përpjekje për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës, veçanërisht nga grupet kriminale me lidhje të mundshme me qarqe politike në Serbi, mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë e Kosovës dhe rajonit më gjerë. Kjo bëhet më shqetësuese duke pasur parasysh zhvillimet e mëparshme, si sulmet ndaj policisë apo barrikadat që janë ngritur në veri.
3.Roli i institucioneve të Kosovës: Aksionet e policisë janë një pjesë thelbësore e përpjekjeve për të mbajtur rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës. Sidoqoftë, operacione të tilla në veri shpesh perceptohen si provokuese nga disa banorë lokalë të komunitetit serb, të cilët janë të ndikuar nga narrativat politike të Beogradit.
4.Destabilizimi si mjet politik: Historia ka treguar që grupe të caktuara në veri të Kosovës mund të përdorin akte të destabilizimit për të forcuar presionin ndaj autoriteteve të Kosovës dhe për të penguar integrimin e plotë të rajonit. Të tilla veprime shpesh janë të lidhura me agjenda politike nga Serbia, që synojnë të sfidojnë sovranitetin e Kosovës”, nënvizoi ai.
Më tej, eksperti i sigurisë kishte disa propozime mbi atë se si duhet vepruar në raste të tilla, ku një pikë kyçe ishte edhe zbulimi i zinxhirëve të furnizimit të mjeteve të konfiskuara.
“Çka duhet bërë:
Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë: Kosova duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me KFOR-in, EULEX-in dhe faktorët ndërkombëtarë për të parandaluar çdo tentativë destabilizimi.
Angazhimi me komunitetin lokal: Autoritetet e Kosovës duhet të punojnë për të ndërtuar besimin me komunitetin serb lokal, duke demonstruar se aksionet e policisë janë të drejtuara kundër krimit dhe jo kundër ndonjë grupi etnik.
Zbulimi i zinxhirëve të furnizimit: Përfshirja e armëve dhe pajisjeve policore sugjeron një rrjet më të gjerë kriminal. Identifikimi dhe çmontimi i këtyre rrjeteve duhet të jetë prioritet”, shpejgoi Gecaj.
Në fund, ai këto aksione të policisë i vlerësoi si përpjekje për të parandaluar skenarë të rrezikshëm.
“Në përgjithësi, aksionet e fundit të policisë mund të interpretohen si një përpjekje për të parandaluar skenarë të mundshëm destabilizimi, por gjithashtu tregojnë për rrezikun e vazhdueshëm që grupet kriminale dhe strukturat paralele mund të përbëjnë për sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.
…
Burimi: botasot.info