sinjale pozitive shba ja dhe ukraina zhvillojne bisedime frytdhenese ne arabine saudite 67e113a105b19

Sinjale pozitive: SHBA-ja dhe Ukraina zhvillojnë bisedime “frytdhënëse” në Arabinë Saudite

March 24, 2025
min lexim

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas i përmbyllën bisedimet e tyre në Arabinë Saudite të dielën, një ditë para se negociatorët amerikanë të takohen të hënën me përfaqësuesit e Rusisë në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.

Ekipi i Uashingtonit nuk ka komentuar ende bisedimet me përfaqësuesit e Kievit, por ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se bisedimet ishin “konstruktive dhe kuptimplota”.

“Diskutimet ishin frytdhënëse dhe të përqendruara. Adresuam çështje kyçë, përfshirë energjinë”, shkroi Umerov në Facebook.

“Qëllimi i presidentit Volodymyr Zelensky është ta sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin dhe popullin tonë – dhe për gjithë Evropën. Ne po punojmë për ta arritur këtë synim”, shtoi ai.

Bisedimet në Riad shënuan një moment historik në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për ta arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë. Më parë, ka pasur ndërprerje prej një ose më shumë ditësh midis rundeve të ndryshme të bisedimeve dypalëshe.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen sot në qytetin saudit. Mediat shtetërore ruse raportuan se delegacioni i Moskës mbërriti mbrëmjen e së dielës.

New York Times dhe Reuters, duke cituar burime, raportuan se një takim tjetër midis përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas mund të zhvillohet pas bisedimeve SHBA-Rusi për të diskutuar marrëveshje të mundshme.

Megjithatë, edhe pse negociatorët rusë dhe ukrainas do të jenë në të njëjtin vend teksa zhvillojnë bisedime me delegacionin amerikan, pak njerëz presin ndonjë përparim të madh.

Zelensky, duke folur derisa bisedimet po zhvilloheshin, tha se “ekipi ynë po punon në një mënyrë plotësisht konstruktive”.

“Biseda është mjaft e dobishme – puna e delegacioneve po vazhdon”, shtoi ai.

“Por, pavarësisht se çfarë u themi sot partnerëve tanë, ne duhet ta bëjmë [presidentin rus Vladimir] Putin të japë urdhër të vërtetë për t’i ndaluar sulmet. Kushdo që e solli këtë luftë, duhet ta ndalojë atë”, nënvizoi Zelensky.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur optimizëm para takimeve në Arabinë Saudite.

“Mendoj se të hënën do të shihni një përparim të vërtetë në Arabinë Saudite”, tha për Fox News i dërguari amerikan, Steve Witkoff, më 22 mars.

Kievi dhe Moska kanë qenë më të përmbajtur në pikëpamjet e tyre.

Në Rusi, ku Radio Evropa e Lirë është shpallur organizatë e padëshirueshme dhe është praktikisht e ndaluar, ishte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ai që shoi çdo shpresë për një marrëveshje të shpejtë.

“Nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Një punë shumë serioze dhe e madhe na pret. Do të duhet të futemi në hollësi”, tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror të dielën.

“Jemi vetëm në fillim të kësaj rruge”, shtoi ai.

Diplomatët rusë dhe ukrainas nuk planifikohet të takohen drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, ata pritet të takohen veçmas me ekipin amerikan, në atë që një zyrtar amerikan e përshkroi si “diplomaci me ndërmjetësim”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë deri më tani më i vendosuri në favor të negociatave. Por, shpresat e tij për përparim të shpejtë kanë hasur në pengesa të vazhdueshme.

Së pari, një plan i rënë dakord me Ukrainën për një armëpushim të përgjithshëm 30-ditor u bllokua nga Putin. Pas një telefonate me Putinin, Trump tha se ata ishin pajtuar për një ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës.

Por, Kremlini e ngushtoi edhe më tej këtë fokus, duke thënë se marrëveshja lidhej vetëm me infrastrukturën energjetike – të cilën forcat e tij e sulmuan gjithsesi. Ukraina shpreson ta qartësojë këtë çështje në Xhedah, duke sjellë një listë të asaj që Rusia duhet të pranojë të mos e shënjestrojë.

Mjegull e ngjashme ishte edhe pas bisedimeve mes Trumpit dhe Zelenskyt. Derisa zyrtarët amerikanë flisnin për një plan të ri për pronësinë amerikane të centraleve bërthamore ukrainase, si një formë e garancive të sigurisë për Ukrainën, Zelensky e bëri të qartë se këto centrale janë pronë shtetërore që u përkisnin të gjithë ukrainasve.

Ndërkohë, u tha përsëri se një marrëveshje dypalëshe për mineralet e rralla të Ukrainës është pothuajse gati. Por, ende nuk ka qartësi se kur do të nënshkruhet dokumenti – i cili, siç duket, përmban më shumë aspirata sesa hollësi konkrete.

Në bisedimet e reja në Arabinë Saudite pritet të shtjellohet edhe një temë tjetër.

Witkoff, i dërguari amerikan, tha se do të ketë përparim në “një armëpushim në Detin e Zi, për anijet midis të dyja vendeve. Dhe nga aty, do të kalojmë natyrshëm në një armëpushim të plotë”.

Witkoff gjithashtu tha se është i bindur se Putini dëshiron paqen, diçka që Ukraina dhe vendet evropiane nuk e besojnë./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

musk do te doja te vdisja ne mars qendrimi ne toke eshte rrezik 67e110d089896
Story i mëparshëm

Musk: Do të doja të vdisja në Mars, qëndrimi në Tokë është rrezik

alesha dixon ndan rruget me partnerin pas 18 vitesh por ende jeton me te 67e1154ac9715
Story i radhës

Alesha Dixon ndan rrugët me partnerin pas 18 vitesh, por ende jeton me të

Të fundit nga

afsqamarhyazeubebnbsbgcacebnyzh-CNzh-TWcohrcsdanleneoettlfifrfyglkadeelguhthahawiwhihmnhuisigidgaitjajwknkkkmkokukylolalvltlbmkmgmsmlmtmimrmnmynenopsfaplptparorusmgdsrstsnsdsiskslsoessuswsvtgtatethtrukuruzvicyxhyiyozu
ShkoLartë