Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me kongresmenin, Mike Turner, të cilit i ka premtuar se Beogradi do të punojë më administratën amerikane.
Vuçiq e ka përmendur veçanërisht çështjen e bashkëpunimit ekonomik.
“Falenderova RepMikeTurner për mbështetjen e vazhdueshme drejt rrugës së Serbisë në BE. Unë nënvizova përkushtimin e Serbisë për të punuar me administratën amerikane dhe synimin tonë për forcimin e lidhjeve midis Serbisë dhe SHBA-së, veçanërisht rreth ekonomisë”, ka shkruar Vuçiq në Twitter.
Edhe pse Vuçiq po zotohet për bashkëpunim me SHBA-të, Serbia nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës amerikane për t’i vendosur sanksione Rusisë për shkak të luftës së saj pushtuese në Ukrainë.
Madje, presidenti serb gjatë kësaj jave ka thënë se “as nuk po e mendojnë për t’i vendosur sanksione Federatës Ruse”.