Përgjigjet janë të fshehura në shtëpinë tuaj.
Ulëset e veturave janë bërë nga pëlhura jashtëzakonisht të forta që mund të përballojnë ngarkesa të rënda. Megjithatë, ato janë të ndjeshme ndaj ushqimeve të yndyrshme apo çokollatës, ndaj njollat mbeten.
Si t’i hiqni ato?
Përveç mjeteve të specializuara që mund t’i blini në dyqane, zgjidhja mund të fshihet në shtëpinë tuaj.
Njollat në ulëse mund t’i luftoni me shkumë rroje, ujë të cilit do t’i shtoni pak uthull ose nëse nuk ju pëlqen era e uthullës, lëng limoni.
Aplikoni shkumë rroje në pjesën e ulëse që është e ndotur ose e yndyrshme, prisni një minutë dhe më pas fshijeni të gjithë sipërfaqen tërësisht me një leckë të thatë.
Nëse jeni duke përdorur uthull, shtoni pak nga ajo në një tas me ujë të ngrohtë. Mund të shtoni edhe pak detergjent të lëngshëm për larjen e enëve. Lagni lehtë pjesën e ndotur të ulëse dhe disa minuta më vonë fshijeni me një leckë të njomur vetëm në ujë të pastër dhe përsëri, disa minuta më vonë, fshijeni gjithçka me një leckë të thatë. E njëjta gjë vlen edhe për lëngun e limonit, të cilin mund ta përdorni në vend të uthullës.
Nëse këto metoda shtëpiake nuk e zgjidhin problemin, do t’ju duhet ende të blini një mjet të specializuar ose ta çoni makinën në një pastrim profesional.
Burimi: botasot.info