Si tenton Vuçiq të viktimizohet para serbëve duke u shfaqur i varfër, por vetëm xhaketa e tij kushton 2500 euro

January 4, 2023
min lexim

“Nuk kam asgjë, nuk me gjeni asgjë, s’kam patur asnjëherë, banesën e bleu babai im, me tjetrën me ndihmoi Sheshel… E paguaj vete shishen me ujë, gënjeni se kushton 400 euro ky xhup, vishem nga fondet… Dhe më lini rehat, nuk dua as një biftek, më jep ato karamele haribo nga avioni… Ju duken të njohura këto fjali?”, kështu e nis tekstin media serbe “Nova” kushtuar presidentit të Serbisë dhe pasurisë së tij.

Kjo media në mënyrë ironike shkruan për “varfërinë” e Aleksandar Vuçiqit.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar I varfri Vuçiq, vazhdon tutje “Nova”.

“Dhe vërtet, kur të shkruani emrin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, do të shihni se presidenti ynë realisht nuk ka asgjë, përveç pagës së tij prej 157.262 dinarë (1340 euro) dhe një garsoniere prej 30 metrash katrorë. Ai nuk ka as makinë, kompani, as kursime në bankë. Pse ky lajm për Vuçiqin nuk bëri xhiron e botës, sikur shkruanin për ish-presidentin uruguaian Jose Mujica, i cili u quajt presidenti më modest në botë? Dhe ai njeri, të cilit, tashmë është e qartë, iu dha në mënyrë të rreme ky titull lajkatar, kur ishte president i Uruguait, dhuroi 97 për qind të pagës së tij, voziti një Volksëagen Beetle nga viti 1987 dhe shiti lule që ai dhe gruaja e tij i rritën në kopshtin e shtëpisë së tij. Ai jetonte në një shtëpi modeste fshati jashtë Montevideos me gruan e tij, dhe qenin e tyre me tre këmbë Manuela. Ai nuk kishte truproja, as flotë zyrtare. Mirëpo, ai kishte një makinë, dhe presidenti ynë nuk e ka as atë, dhe ai kishte një shtëpi, ndërsa presidenti ynë kishte vetëm një apartament të vogël. Dhe kjo me të vërtetë duhet të shënohet”, shkruan tutje me ironi ‘Nova’.

Por, por… dikush do të thoshte – ndoshta “KRIK” (një media e specialiazuar në Serbi për raportim të korrupsionit), se ekziston një tekst ku ishin renditur të gjitha pasuritë e familjes Vuçiq.

Ku zhduken 800 metra katrorë?

Ajo listë përfshin një numër të madh pronash në kryeqytet, me një sipërfaqe totale prej 833 metrash katrorë. Mësohet se bashkëshortja e tij është pronare e një banese prej rreth 100 metrash katrorë, e cila ndodhet pranë garsonjerkës së tij në lagjen “Belvil” të Beogradit.

KRIK ka shkruar gjithashtu se Vuçiq ka blerë një apartament 118 metra katrorë në qendrën Yubiznis nga shteti në vitet nëntëdhjetë dhe ia ka dhënë ish-bashkëshortes së tij, por se kontrata e dhuratës nuk ka arritur kurrë në kadastër.

KRIK po ashtu shkruan se vëllai i Vuçiqit, Andrej ka një apartament 108 metra katrorë në Beogradin e Ri, se prindërit e kryeministrit kanë një shtëpi familjare në Jajinci prej gati 200 metra katrorë, një apartament 112 metra katrorë në qendër të Beogradit dhe një Apartament 80 metra katror ne Beogradin e Ri. Gjithashtu theksohet se nëna e tij ka pasur një banesë tjetër prej 62 metrash katrorë në Beograd, por e ka shitur ndërkohë që hetimet për KRIK ishin në vazhdim.

“Banesa e tyre më e shtrenjtë ndodhet në rrugën Krunska dhe babai i kryeministrit e ka marrë në fund të viteve 1990 në një shkëmbim me Bankën Kombëtare, që sipas ekspertëve ishte në dëm të bankës”, shkruan KRIK.

“Padrejtësi”, do të thoshte Vuçiq.

“Po bashkoni gjyshet dhe bretkosat”, pati thënë Vuçiq në përgjigje të pyetjeve të KRIK-ut dhe më pas deklaroi se nuk ka pasur kurrë para dhe se prindërit e tij e kanë ndihmuar financiarisht kur bleu një garsonjerë në “Belleville”, si dhe duke shlyer pagesën për apartamentin që bleu nga shteti në vitet nëntëdhjetë.

“Babai im pagoi apartamentin tim. Prindërit e mi e shitën banesën, nëna ime shiti edhe shtëpinë në Beçej, gjithçka që trashëgoi nga babai dhe nëna e saj, për të më ndihmuar të blej atë garsoniere. Kam paguar një shumë minimale”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se përfundoi duke paguar shumë për banesën në “Jubiznis Center”.

“Nuk e di (sa kam paguar). Unë nuk u përgatita për t’ju kërkuar falje. Pas vitit 2000 më kërkuan taksë shtesë dhe unë e pagova. Pagova aq shumë sa u gëzuan shumë që mundën të më dënonin”, tha Vuçiq dhe shtoi se familja e tij dhe kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshelj, e kanë ndihmuar të paguajë banesën.

Ai ka treguar gjithashtu se nuk ka lidhje me banesën e bashkëshortes dhe as me pasurinë e paluajtshme të prindërve dhe vëllait.

“Nuk mund të gjesh asgjë për mua, kështu që nise të mbledhësh atë që kishte babai dhe nëna ime. E dini cili është problemi me të gjithë ata që mendojnë se do të gjejnë diçka duke bërë kërkime? Ata nuk kanë asgjë për të gjetur. Unë kurrë nuk kam vjedhur, nuk kam marrë kurrë. Nuk ka asgjë të shtrenjtë për mua. Unë jam i interesuar se çfarë mund të bëj për vendin tim dhe popullin tim”, tha Vuçiq.

“Nënshkruesi i këtyre rreshtave vërtet nuk e di se çfarë është e shtrenjtë sipas standardeve të presidentit, por për shumicën e qytetarëve serbë atletet 500 euro, një xhaketë 400 euro apo një xhaketë 2500 dollarë janë një ëndërr e paarritshme. Dhe presidenti i Serbisë shpesh dhe me kënaqësi i vesh të gjitha këto. Atletet e tij të preferuara “Zegna” kushtojnë 60.000 dinarë (511 euro), ndërsa xhaketat janë shumë herë më të shtrenjta. Në një dalje publike së fundmi ai ka veshur një xhaketë identike me atë të markës “Loro Piana”, e cila nuk mund të blihet për më pak se 2500 dollarë. E as xhaketat dhe pulovrat nuk janë “për tu hedhur””, shkruan “Nova”.

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Butrinti ndan momentin më të mirë me nënën

Story i radhës

Planifikoni të martoheni në 2023? Këto janë datat më me fat

Të fundit nga

ShkoLartë