Si po reagon Kina ndaj krizës Rusi-Ukrainë?

February 25, 2022
min lexim

Ekspertët thonë, se Pekini dëshiron të shmangë haptazi mbajtjen anë në këtë histori, ndërkohë që përpiqet të kuptojë si janë ndarë vendet perëndimore në përgjigjjen ndaj agresionit rus.

Ndërsa ushtria ruse e nisi brenda natës pushtimin e Ukrainës, i dërguari i Kinës në OKB, Zhang Jun, në një takim të Këshillit të Sigurimit e përshkroi situatën si një “pikë kritike”.

Në kontekstin aktual, të gjitha palët e interesuara duhet të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne besojmë se dera për një zgjidhje paqësore të çështjes së Ukrainës nuk është plotësisht e mbyllur dhe as nuk duhet të mbyllet” – tha ai.

Gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të hënën në mbrëmje, i thirrur disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Moska do të njihte “pavarësinë” e “republikave” të vetëshpallura, Jun mbajti një qëndrim të rezervuar. Teksa të dërguarit e OKB-së nga e gjithë bota dënuan veprimet e Rusisë, i dërguari kinez kërkoi dialog, por nuk përmendi drejtpërdrejt veprimet e Rusisë gjatë komenteve të tij të shkurtra rreth krizës.  

Kina ecën sipër një “litari të hollë diplomatik”

Më herët Kina pati sinjalizuar se nuk do të mbështeste pushtimin e territorit ukrainas nga Rusia. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Wang tha gjithashtu se “Kina beson se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha kombeve duhet të respektohen dhe të ruhen”, duke theksuar se Ukraina nuk bën përjashtim.

Në të njëjtën mënyrë, Kina kritikoi reagimin e Uashingtonit të mërkurën (23.02), duke thënë se sanksionet e reja të SHBA-së “i hidhnin benzinë zjarrit” dhe ishin “të papërgjegjshme dhe të pandershme”.

Të martën, Wang zhvilloi një telefonatë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme kineze, Pekini u bëri thirrje edhe një herë të gjitha palëve të vetëpërmbahen dhe t’u japin zgjidhje ndasive përmes dialogut dhe negociatave.

Përgjigjja e matur e Kinës sugjeron balancimin e Pekinit në dritën e marrëdhënieve të tij me SHBA-në dhe Rusinë” – tha Zsuzsa Anna Ferenczy, studiuese në universitetin kombëtar “Dong Hwa” në Tajvan dhe ish-këshilltare në Parlamentin Evropian.

“Pekini është i vetëdijshëm se nuk është në interesin e tij të shohë shpërthimin e një konflikti dhe Moska po e shtyn Kinën të përballet me disa vendime të vështira. Veprimi i barazpeshuar i Kinës është të mbrojë interesat e veta” – i tha DW-së përpara fillimit të pushtimit. 

Sa presion mund t’i bëjë Rusia Kinës?

Në hapjen e Lojërave Olimpike në fillim të këtij muaji në Pekin, Putin u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Kinezët duket se mbështesin pozicionin e Rusisë sa i përket zgjerimit të NATO-s.

Në një deklaratë të përbashkët, Rusia dhe Kina i bënë thirrje NATO-s që të “ideologjizojë qasjet e Luftës së Ftohtë” dhe “të respektojë larminë e modeleve civilizuese dhe kulturore-historike” në vendet e tjera.

Megjithëse Kina ka të ngjarë të punojë me Rusinë për të shtyrë përpara një narrativë të përbashkët që minon një model global të demokracisë perëndimore, sulmi i Moskës ndaj Ukrainës mund të jetë një hap shumë i madh për Pekinin, dëshira aktuale e të cilit është stabiliteti.

Dhe ndërsa Kina bëhet gjithnjë e më shumë aleati kryesor gjeopolitik i Rusisë, përgjigjja e Pekinit ndaj sulmeve të mëtejshme të Moskës ndaj Ukrainës do të ketë më shumë peshë.

Vendimi i Rusisë për të njohur pavarësinë e rajoneve separatiste të Ukrainës duhet të ketë qenë një surprizë për Kinën, pasi vetëm disa ditë më parë Pekini mbrojti zgjidhjen e krizës nëpërmjet procesit të Minskut, i cili efektivisht u prish” tha për DW Danil Bochkov, ekspert në Këshillin Rus për Çështjet Ndërkombëtare, në Moskë. 

Wen-Ti Sung, pedagog në universitetin kombëtar të Australisë, tha për DW, se “Kina nuk dëshiron të shohë Rusinë të ndërmarrë sulme madhore ndaj Ukrainës, pasi kjo lëvizje mund të krijojë pasiguri gjeopolitike që Pekini dëshiron t’i shmangë. Kjo, për faktin se Kina po përgatitet të rikonfirmojë veten, në prag të Kongresit të 20-të të Partisë Kombëtare”.

2022 është viti i tranzicionit të fuqisë kineze” – tha ai. “Përveç kësaj, meqenëse Kina dhe Rusia ende e shohin njëra-tjetrën si shqetësime të mundshme të sigurisë, një Rusi dukshëm më e fortë nuk është diçka që Kina dëshiron me të vërtetë të shohë” – shtoi Sung.

Sung tha se Kina do të ishte në një situatë më të rehatshme, nëse do të kishte një mësymje të kufizuar ruse në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë, në përputhje me pretendimet aktuale të Kremlinit se trupat e Moskës janë “paqeruajtëse”.

Nëse Rusia përparon shumë, Kina do të ketë më shumë hapësira për t’u distancuar nga Rusia, kështuqë Pekini nuk do të shihet si përkrahës i Moskës, tashmë nën akuzë si “një shkelëse e madhe e ligjeve ndërkombëtare” – shtoi ai.

Kina vëzhgon përgjigjen e Perëndimit ndaj Rusisë

Nën qeverisjen e presidentit Xi, Kina ka pohuar vazhdimisht se do të “ribashkojë” Tajvanin me kontinentin, pasi Pekini e konsideron ishullin vetëqeverisës si një “provincë tradhtare”.

Megjithëse situata midis Tajvanit dhe Ukrainës nuk është aspak identike, ekspertët thonë se Kina mund të përvetësojë disa njohuri mbi përgjigjen perëndimore ndaj përshkallëzimit të situatës në Ukrainë dhe ta përshtasë atë në agjendën e saj me Tajvanin.

Pekini mund të mbledhë shumë detaje se si Perëndimi po reagon dhe po koordinon hapat e tij midis aleatëve” – tha Bochkov.

“Kina mund të përpilojë një udhërrëfyes mjaft të vlefshëm për çdo përshkallëzim të ardhshëm me Perëndimin, qoftë ky përshkallëzim i lidhur me Tajvanin apo me ndonjë çështje tjetër” – shtoi ai.

Sung tha se Kina do të vëzhgojë se si kriza Ukrainë-Rusi teston unitetin perëndimor.

Përshkallëzimi i krizës në Ukrainë tregon se vendet evropiane dhe SHBA kanë prioritete të ndryshme përsa i përket shqetësimeve të tyre gjeopolitike” – tha Sung.

Nëse Ukraina do të bëhet një provë që ekspozon linjat e gabimeve brenda vendeve të mëdha perëndimore dhe nëse kjo do të çojë në një ulje të mëvonshme të kohezionit të bllokut perëndimor, është diçka që Kina do të vëzhgojë nga afër”.

Të mërkurën (23.02) presidentja tajvanez Tsai Ing-Wen, gjatë një takimi me qeverinë e saj, dënoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Tsai tha se ‘forcat e jashtme’ po përpiqeshin të manipulonin situatën në Ukrainë dhe të ndikonin mbi shoqërinë e Tajvanit. Ajo i kërkoi qeverisë së saj të ishte “më vigjilente karshi këtij konflikti”./DW

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Videoja e ushtrisë ukrainase tregon përleshje me armë në qytet

Story i radhës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Sulmet e tmerrshme me raketa ruse në Kiev, ndaloni Putinin

Të fundit nga

ShkoLartë