Në mbarë botën perëndimore, rendi liberal po humb terren, ndërsa partitë e qendrës së majtë përballen me sfida të mëdha nga elektorati, rivalët politikë dhe ndryshimet sistemike. Idealet dikur dominuese, si globalizimi, multikulturalizmi dhe mbrojtja e mjedisit po shihen gjithnjë e më shumë si të shkëputura nga shqetësimet e qytetarëve të zakonshëm, duke bërë që udhëheqësit liberalë të stërmundohen për të mbetur relevantë në këtë realitet të ri.
Perspektiva e zymtë
Humbjet janë të dukshme. Në Shtetet e Bashkuara, Demokratët po shohin një largim nga pushteti, duke humbur kontrollin mbi ekzekutivin dhe dy dhomat e legjislativit, ndërsa përballen me një Gjykatë të Lartë me shumicë nga krahu i djathtë. Në Britani, qeveria e Laburistëve, e sapozgjedhur, pa të binte ndjeshëm mbështetja pas vetëm disa javësh, për shkak të gabimeve politike dhe përçarjeve të brendshme.
Në Francë, Presidenti Emmanuel Macron përballet me një parlament jofunksional, ku aleatët e tij liberalë dhe centristë janë të varur nga kapriçot e një fraksioni të ekstremit të djathtë që veç po zgjerohet. Ndërkohë, në Gjermani, kancelari Olaf Scholz, një socialdemokrat, humbi një votëbesim në parlament, duke hapur rrugën për zgjedhje në shkurt. Pritet të kemi një tkurrje të ndjeshme të votave për partinë e tij.
Humbja e mbështetjes
Në Gjermani, qeverisja e Scholz-it u gjend papritur në mesin e kolapsit të një koalicioni trepartiak mes të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë, ndërsa ndarjet mbi politikat ekonomike dhe financiare çuan në dështim. Pavarësisht përpjekjeve për të trajtuar pasojat e pushtimit rus të Ukrainës, Scholz u kritikua për mungesën e lidershipit në adresimin e realiteteve të reja ekonomike dhe politike.
Në Kanada, situata është po aq shqetësuese. Kryeministri Justin Trudeau po përballet me një rënie të madhe të popullaritetit për shkak të krizës së strehimit, ngadalësimit të ekonomisë dhe lodhjes së votuesve. Dorëheqja e Chrystia Freeland, një aleate e ngushtë dhe ministre e financave, është një tjetër goditje për liderin liberal.
Faktorët strukturorë dhe ekstremizmi
Shumë prej këtyre sfidave janë strukturore. Në Gjermani, varësia e madhe nga energjia e lirë ruse, tregjet kineze dhe siguria amerikane ka ekspozuar dobësi që nuk mund të adresohen kollaj. Ndërsa ekonomia kineze konkurron gjithnjë e më shumë me industrinë gjermane, këto tensione ndikojnë drejtpërdrejt tek eksportet dhe rritja ekonomike e Gjermanisë.
Në Kanada dhe Gjermani, rikthimi i një figure si Donald Trump hedh një hije mbi stabilitetin. Populizmi i tij agresiv dhe nacionalizmi kanë frymëzuar kundërshtarët e qeverive liberale, duke i bërë më të vështira përpjekjet për të ruajtur konsensusin politik.
Liberalizmi i dobësuar
Vlerat që dikur përbënin kolonën e rendit liberal – përfshirja, bashkëpunimi global dhe respekti për mjedisin – janë të sulmuara. Për shumë qytetarë, këto ide shihen si dogma elitare që nuk pasqyrojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre. Kjo ka hapur rrugën për ngritjen e alternativave politike, si të djathta ashtu edhe të majta, që pretendojnë të përfaqësojnë “njerëzit e zakonshëm”.
Megjithëse është e paqartë nëse opozitat e krahut të djathtë ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, vihet re se publikun në Perëndim e tërheq ndryshimi dhe anti-sistemi. Ndërsa establishmenti liberal vazhdon të luftojë për të ruajtur ndikimin, duket se epoka e tij dominuese po merr fund.
Në këtë klimë të pasigurt, sfida për vendet perëndimore është të adresojnë shqetësimet reale të qytetarëve të tyre, duke shmangur një ndarje të mëtejshme politike dhe sociale. Pyetja mbetet: a mund të përshtaten liderët liberalë, apo do të jenë të detyruar t’i hapin rrugë një epoke të re politike? / bota.al
Burimi: botasot.info