Si mund të ndëshkohet një armik i pajisur me armë bërthamore?

April 14, 2022
min lexim

Skenat e frikshme të lëna pas tërheqjes nga Bucha, për të cilat Ukraina akuzon trupat ruse për torturimin dhe vrasjen e civilëve, e kanë intensifikuar presionin ndaj Perëndimit për të ofruar më shumë armë sulmuese për Ukrainën, dhe që Evropa të ndalë importet e energjisë ruse.

Por përtej debatit legjitim mbi gatishmërinë e Evropës për të paguar një kosto kaq të lartë në emër të Ukrainës, qëndron realiteti i zymtë se sanksionet nuk janë një formulë magjike. Për 40 vite, Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur qartë nëse do ta mbronin Tajvanin në rastin e një pushtimi kinez.

E megjithatë kjo qasje e mjegullt rezultoi shumë efektive në parandalimin e veprimeve të nxituara nga Kina apo nga tajvanezët që janë shumë pro-pavarësisë. Por tani që kanë ndryshuar rrethanat, duhet të ndryshojë edhe strategjia e Amerikës.

Thirrjet për sanksione ndaj Rusisë nisën që shumë kohë përpara pushtimit. Kur Rusia po grumbullonte trupa pranë kufirit të Ukrainës, qeveria ukrainase dhe disa ligjvënës amerikanë i kërkuan Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të vendosin sanksione parandaluese, dhe t’i ofrojnë Ukrainës garanci më të forta për sigurinë.

Por udhëheqësit perëndimorë kundërshtuan, duke pretenduar se sanksionet do të pengonin aftësinë e tyre për të arritur një zgjidhje diplomatike. Tani e dimë se ato përpjekje diplomatike ishin të kota. Po ajo që nuk dimë, është nëse sanksionet parandaluese do ta kishin motivuar presidentin rus Vladimir Putin të ri-mendonte planet e tij, sidomos duke pasur parasysh se sanksionet parandaluese nuk do të ishin dhe aq të rënda sa paketa e masave që u vendosën pasi Kremlini e nisi pushtimin.

Tek e fundit, paketa aktuale e sanksioneve është veprimi ndëshkues më gjithëpërfshirës dhe më i koordinuar i ndërmarrë kundër një fuqie të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke kapërcyer rezervat fillestare, Bashkimi Evropian iu bashkua SHBA-së në përjashtimin brenda pak ditësh të bankave ruse nga sistemi financiar global.

Perëndimi ngriu gjithashtu një pjesë të madhe të rezervave valutore të Bankës Qendrore të Rusisë – një akt ky i paprecedentë, që me siguri alarmoi Kinën, rezervat zyrtare të së cilës janë 3.25 trilionë dollarë. Në fillim, u duk sikur sanksionet dhanë efektin e synuar. Brenda një jave, rubla u zhvlerësua një të tretën kundrejt dollarit amerikan. Rënia e çmimeve të aksioneve i detyroi autoritetet të pezullonin për gati 1 muaj aktivitetin në bursën e Moskës. PBB-ja e Rusisë pritet të tkurret këtë vit me 10-15 për qind.

Por edhe pse sanksionet vazhdojnë të shtohen, tregjet ruse duket se po stabilizohen. Falë ndërhyrjes së fuqishme të autoriteteve ruse, rubla po tregtohet tani afër niveleve të paraluftës, ndërsa bursa e Moskës ka rikuperuar disa humbje.

Ndërsa konflikti nuk po tregon asnjë shenjë zbutjeje, qeveritë perëndimore duhet të jenë të qarta se çfarë mund të arrijnë dhe çfarë jo sanksionet, dhe mbi të gjitha sa sakrifica është e pranueshme. Sanksionet, të përdorura për herë të parë në luftërat e Peloponezit në Greqinë e lashtë, kanë qenë një instrument i politikës së jashtme për rreth 2500 vjet.

Ndërsa sofistikimi dhe kompleksiteti i tyre është rritur me kalimin e kohës, mekanizmi bazë ka mbetur i njëjtë: t’i shkaktojë aq dhimbje ekonomike kundërshtarit, sa ta detyrojë atë të ndryshojë sjelljen e tij. Por analiza më gjithëpërfshirëse e përdorimit të sanksioneve, e kryer nga studiuesit në Universitetin Dreksel, zbuloi se synimet e sanksioneve janë përmbushur plotësisht vetëm në 35 për qind të rasteve.

Aty ku sanksionet kanë pasur ndikim, si në Afrikën e Jugut gjatë Aparteidit, ato janë kombinuar me masa të tjera, për të çuar përpara një objektiv specifik të politikës së jashtme.

Për më tepër, edhe sanksionet e mirë-shënjestruara dhe ngrirja e aseteve kanë një efikasitet të kufizuar kundër autokracive.

Nga Koreja e Veriut në Iran, regjimet diktatoriale e mbrojnë veten dhe miqtë e tyre nga dëmet ekonomike nëpërmjet skemave të ndërlikuara që synojnë të shmangin sanksionet. Regjimi i Putinit – përfshirë miqtë e tij – është treguar i aftë që të sigurojë mos-prekjen nga sanksionet.

Në vend të tyre, janë rusët e zakonshëm, ata që do të paguajnë çmimin për sanksionet aktuale. Dhe në dallim nga shpresat e disave në Perëndim, kjo qasje nuk ka gjasa të sjellë rrëzimin e Putinit nga pushteti . Diktatorët nuk janë dhe aq të prekshëm nga ndryshimet e opinionit publik.

Dhe një revolucion nuk duket se do të ndodhë, jo vetëm për shkak të rritjes së shtypjes nga ana e Kremlinit por edhe të makinerisë së fuqishme propagandistike. Narrativa e Kremlinit thotë se duke “anuluar” kulturën ruse dhe duke ngritur sulme “të paprovokuara ” mbi ekonominë e vendit, Perëndimi po përpiqet ta shkatërrojë Rusinë, ashtu siç e kishte paralajmëruar prej kohësh Putin.

Cilido në Rusi që e kundërshton “operacionin ushtarak special” në Ukrainë është një “tradhtar”, “mushkonjë”, dhe një njeri i gatshëm të “shesë edhe nënën e tij”. Pa asnjë media të pavarur për t’i hedhur poshtë këto narrativa, rusët duket se janë kryesisht të bindur me këtë propagandë.

Një sondazh i fundit nga Levada Center, tregon se 83 për qind e rusëve i miratojnë veprimet e Putinit në Ukrainë, krahasuar me 69 për qind në janar, një e dhënë kjo domethënëse, pavarësisht realiteteve komplekse në Rusi.

Ndërsa regjimi i Putinit u izolua për shkak të sanksioneve, Evropa po përballet me kostot e tyre të larta. Në botën e sotme të ndërvarur ekonomikisht, sanksionet nënkuptojnë shpesh kosto të mëdha për të dyja palët. Megjithëse ekonomitë perëndimore nuk janë shumë të varura nga Rusia në përgjithësi, Evropa mbështetet tek kjo fundit për një pjesë të madhe të energjisë që konsumon.

Prandaj ndërsa Kongresi Amerikan ka votuar për të ndalur të gjitha importet ruse të energjisë, liderët e BE-së kanë shënjestruar vetëm qymyrin, dhe jo naftën apo gazin. Një ndalim gjithëpërfshirës i importeve ruse të energjisë në Evropë, do të shtonte padyshim presionin mbi Kremlinin. Por një vendim i tillë duhet trajtuar me shumë kujdes. Siç paralajmëroi së fundmi kancelari gjerman Olaf Scholz, kostot ekonomike dhe sociale të një embargoje të papritur do të ishin të mëdha.

Do të duhet kohë që Evropa të heqë plotësisht dorë nga gazi natyror rus, duke ruajtur gjithashtu stabilitetin social dhe ekonomik evropian. Po aq e rëndësishme: sanksionet janë një pjesë integrale e një strategjie më të gjerë negociuese.

Sapo Perëndimi të përdorë të gjitha armët e tij më të mëdha ekonomike, atëherë nuk do të ketë më në dispozicion asnjë mekanizëm shtesë. Ndaj mendoj se duhet të ketë hapësirë ​​për të përshkallëzuar masat në kundërpërgjigje të veprimeve të Putinit, veçanërisht vendosjes në gatishmëri të armëve bërthamore, atyre kimike apo taktike.

Arsenali i mjeteve që mund të përdorë Perëndimi në Ukrainë është qartësisht i kufizuar. Sanksionet janë një armë e rëndësishme dhe e fuqishme, dhe ato po ushtrojnë presion mbi Kremlinin. Por duke pasur parasysh kufizimet e tyre – dhe kostot që duhet të përballojë si Perëndimi po ashtu edhe rusët e zakonshëm – ato duhet të përdoren me maturi.

Përndryshe Putin, që duket se i beson propagandës së tij paranojake dhe zotëron arsenalin më të madh bërthamor në botë, mund të arrijë në përfundimin se nuk ka asgjë për të humbur.

Shënim: Ana Palacio, një ish-Ministre e Jashtme e Spanjës, dhe ish-zëvendëspresidente e Grupit të Bankës Botërore. Aktualisht është pedagoge në Universitetin Xhorxhtaun, SHBA.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

509 raste aktive me koronavirus në Kosovë

Story i radhës

Kur familja ndikon në marrëdhënien tuaj romatike

Të fundit nga

ShkoLartë