Si do të dukej përbërja e re parlamentare? VMRO-DPMNE dhe VLEN do të kishin 71 deputetë

Në bazë të rezultateve dhe mandateve të fituara, pritet që VMRO-DPMNE të nisë negociatat për formimin e shumicës parlamentare. Sipas retorikës parazgjedhore dhe paszgjedhore të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, shumica parlamentare do të përbëhet nga DPMNE, Koalicioni VLEN dhe ndoshta nga Lëvizja ZNAM i të Maksim Dimitrievskit edhe pse për këtë ende nuk ka konfirmim.

Nëse kjo ndodh, si do të dukej parlamenti i ri?

Nëse shikojmë nga pozicioni ku ulet kryetari i Kuvendit, apo foltorja, në anën e pasme nga ana e djathtë dhe në mes, menjëherë pas ulëseve të rezervuara për ministrat dhe kryeministrin, do të ulen deputetët nga shumica parlamentare. Këtu do të uleshin 71 deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-t. Për momentin ky është koalicioni i paralajmëruar, për të cilin thuhet se negociatat do të nisin të hënën dhe kontaktet e para telefonike tashmë janë bërë.

Në pjesën e rezervuar për shumicën parlamentare në Kuvend, ka shumë gjasa që të ulen edhe 6 deputetët e Lëvizjes ZNAM të Maksim Dimitrievskit. Por kjo është ende e diskutueshme, varësisht nëse kjo parti do të bëhet apo jo pjesë e shumicës parlamentare.

Ana e majtë e Parlamentit zakonisht u përket deputetëve të opozitës. Këtu do të uleshin deputetët e Frontit Europian me 19 mandate, koalicioni i udhëhequr nga LSDM me 18 dhe të Levicës që fitoi 6 deputetë. Kjo do të thotë se partitë dhe koalicionet opozitare do të kishin 43 mandate parlamentare.

Në një intervistë për Kanal 5, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili me shumë gjasa është mandatari i ri, pret që deri më 28 maj të ketë 61 deputetë për shumicën e re parlamentare, pa ata të VLEN-t apo Lëvizjes ZNAM.

“Vlerësoj se deri më 28 maj mund t’i konsolidoj 61 deputetë.
-Ju vetë?
-Po, po”, tha Mickoski.

Mickoski nuk tregon emra, andaj mbetet të shihet nëse parashikimet e tij do të realizohen. Për rikujtim, për ndryshimet kushtetuese duhet të votojnë së paku 80 deputetë dhe edhe pse janë kusht i partive politike shqiptare, VMRO-DPMNE vazhdimisht thotë se në kushte të tilla, siç janë tani, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

Në pikëpyetje anëtarësimi i Kosovës në KiE, media ndërkombëtare zbardh prapaskenat: Kjo ‘lëvizje’ e Kurtit…!

Story i radhës

“Drejtësia nuk zgjat dorën për lëmoshë”- Sadushi: Gjykatat kanë mangësi në infrastrukturë, godinat të amortizuara dhe zyrat të pamjaftueshme

Të fundit nga