Shumë lagje të Shkupit kanë mbetur pa ujë mëngjesin e sotëm, pasi ka filluar rehabilitimi i paralajmëruar i tubacionit kryesor të qytetit F-1600.
Kjo ndërhyrje komplekse, sipas autoriteteve, është e nevojshme për zgjidhjen afatgjatë të problemeve të furnizimit me ujë.
“Ujësjellës Kanalizime” siguron se rehabilitimi do të përfundojë brenda 15 orëve, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik u dërgoi rekomandime qytetarëve për shfrytëzim racional të ujit dhe sigurimin e rezervave të mjaftueshme.
Shumica e lagjeve përreth qytetit do të jenë pa ujë, përveç Çairit, Butelit, Radishanit, Rrugës së plastikave deri te Ambasada Amerikane, Vizbegu, Bardovca, Hekurudha, Zona e Lartë Autokomanda, Gjorçe Petrov nga PS Planet, Saraj, Shuto Orizare, Fushë Topana , Novosella, vendbanimi Dame Gruev, Stopanski Dvor, Volkova dhe Ormani.
Për riparimin e defektit është ndërprerë uji nga tubacioni kryesor F-1600 dhe po ashtu do të punohet edhe në tre lokacione të tjera ku ka defekte mbylljeje përgjatë të njëjtit tubacion.
“Ujësjellës Kanalizime” bën me dije se është përgatitur një plan i detajuar operativ për rehabilitim të shpejtë dhe efikas, me qëllim minimizimin e shqetësimit për qytetarët.
Burimi: TV KLAN