Pavarësisht faktit se alkooli është i ndaluar për personat nën 18 vjeç, kjo nuk e ndalon konsumin nga kjo grupmoshë.
Ata kanë gjetur mënyra kreative për ta konsumuar edhe në ambientet e shkollave, ndërsa spitalet raportojnë raste të shtuara në repartet e toksikologjisë.
Psikologët thonë se alkooli dhe duhani shihen si diçka që është në modë, e që shpesh, të rinjtë ndikojnë njëri-tjetrin në këto vese.
“Presioni i bashkëmoshatarëve është një nga kriteret kryesorë që i dikon. Duket si një tendencë për të qenë pjesë e grupit. Një pjesë e tyre ngecin, një pjesë e tyre mendojnë se ashtu është jeta dhe ashtu duhet të jetë, e mendojnë si një gjë trendi, si një gjë për tu pranuar në shoqëri”, tha psikologia Orsjola Miha.
Studimet e kryera nga ISHP-ja tregojnë se prevalenca e duhanpirjes tek të rinjtë e moshës 13-15 vjeç është 6.4% tek djemtë dhe 2.% tek vajzat.
Shtimi i oficerëve të sigurisë në shkolla ka ndikuar në uljen e konsumimit të alkoolit dhe duhanit në ambientet e këtij institucioni. Por duket se fëmijët e kanë gjetur zgjidhjen.
“Nuk mund të themi që adoleshentët nuk e përdorin, përtej oborrit të shkollës, ka nxënës të cilët e përdorin. Nuk dimë tek pjesa e jashtme po përdorin vetëm duhanin, mund të përdorin hashashin, a janë përdorues nga persona të tretë”, tha Xhesika Gërmi, oficere sigurie.
Të rinj paraqiten edhe në urgjencën e toksikologjisë në QSUT, ku shihet një rritje e përdoruesve nga viti në vit. Por çfarë dëmesh në shëndet shkaktojnë duhani dhe alkooli?
“Numri I fëmijëve që kanë fillojnë përdorimin e alkoolit ka ardhur në rritje. është një kulturë për duhanin, që nuk konsiderohet i dëmshëm dhe nuk vijnë të trajtohen. Konsumimi i alkoolit dhe duhanit dëmton mëlçinë dhe sistemin nervor. Ato gjithashtu sjellin probleme mendore”, u shpreh Esmeralda Thoma, doktoreshë shkencash.
Inspektoriati shtetëror shëndetësor, në 3 vitet e fundit ka gjobitur 875 dyqane për shitjen e duhanit dhe alkoolit tek të miturit./Euronews