Shtohen përpjekjet për të ndalur protestat në Kanada

Policia në kryeqytetin kanadez, Otavë ka ndalur dy liderë të konvojit të shoferëve të kamionëve, ndërkohë që shtohen përpjekjet për të thyer qendrën e fundit të protestave kundër rregullave shtetërore për luftim të pandemisë.

Tamara Lich dhe Chris Barber pritet të ngarkohen me akuza penale, ka raportuar transmetuesi CBS News.

Autoritetet kanë shpërndarë edhe protestues tjerë që gjenden në pikat kufitare.

Këto veprime vijnë pasi Kanadaja ka fuqizuar ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të parë.

Megjithatë, zyrtarët nuk kanë lëvizur me forcë protestuesit e mbetur të enjten vonë – ndonëse shefi i policisë në Otava, Steve Bell, ka paralajmëruar më herët se “nëse ata nuk largohen me forcë, ne kemi plane”.

Ligji i fuqizuar nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau të hënën, vendos kufizime në organizimet publike në disa zona.

Protestuesit në Otavë – shumica të parkuar në 400 kamionë të rëndë dhe pajisje tjera në rrugët afër Parlamentit – janë paralajmëruar se përballen me arrestime, konfiskim të automjeteve, pezullim të sigurimeve dhe bllokim të llogarive bankare.

Policia ka thënë po ashtu se është duke punuar me agjenci të fëmijëve për t’u konsultuar si të largohen fëmijët nga këto zona para se të ndërhyjnë autoritetet.

Lich ka treguar për gazetën Canadian Press se llogaria e saj bankare është bllokuar.

Zëvendëskryeministrja kanadeze, Chrysita Freeland, ka konfirmuar se Qeveria ka nisur të bllokojë llogaritë bankare të shoferëve të kamionëve.

“Është duke ndodhur. Kam shifra para meje”, ka thënë ajo.

Fundjavën e kaluar, autoritetet kanë shpërndarë bllokadën që ka shkaktuar më së shumti dëme ekonomike, përkatësisht rrugën që lidh Ontarion dhe shtetin amerikan, Miçigen.

Protestat tjera në Alberta, Emerson dhe Manitoba kanë përfunduar këtë javë.

Policia në Otavë ka vendosur më shumë se 100 zyrtarë policorë në pikën kryesore të protestës si dhe në zonat biznesore.

Këto veprime vijnë para fundjavës, kur protestuesve zakonisht u bashkohen mijëra persona tjerë në rrugët e kryeqytetit kanadez.

Të enjten, kryeministri kanadez ka mbrojtur fuqizimin e Aktit për Emergjenca, duke thënë se protestat kërcënojnë ekonominë kombëtare, sigurinë publike dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Politikanët opozitarë kanë akuzuar Trudeaun për përshkallëzim edhe më të madh të situatës.

Pse kanë nisur protestat?

Protestat kanë nisur me një konvoj të kamionëve që ishin nisur në Otavë për të kundërshtuar vendimin për vaksinim të detyrueshëm kundër koronavirusit të shoferëve që kalojnë kufirin SHBA-Kanada.

Ndërkohë protestat janë zgjeruar edhe ndaj masave tjera të pandemisë të prezantuara nga Qeveria e Trudeaus.

Mbrojtësit e “Konvojit të Lirisë” janë duke akuzuar Trudeaun për njollosje të protestave paqësore, duke injoruar sulmet e dhunshme të aktivistëve të ambientit në pjesën tjetër të shtetit.

Një grup prej 20 personash kundër gazsjellësve kanë sulmuar rojet e sigurisë dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha në provincën kanadeze, British Columbia./Rel/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Afrimiteti i Beniadës me Donaldin, reagon Beatrix Ramosaj

Story i radhës

Në vend të hyrjes Lura dhe Dom Nikoll Kaçorri

Të fundit nga