Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar shteti vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë. 129 serbë të kësaj organizate, e cila është shpallur terroriste nga Qeveria, janë paguar për çdo muaj vitin paraprak. Opozita po e konsideron skandaloze këtë gjendje, ndërkaq ekspertë të sigurisë thonë se Qeveria do të duhej të verifikonte listat e punonjësve. Nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje, nëse pagesa të tilla po vazhdojnë edhe gjatë këtij viti.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se janë 129 persona të punësuar, bazuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
“Edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar pagesa për punonjësit të sistemuar në institucione të Republikës së Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit. Numri i të punësuarve për këtë kategori të punonjësve ishte 129. Në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) janë të sistemuar 64 punonjës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) janë 20 punonjës, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK) janë 20 punonjës si dhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) janë 25 punonjës. Pra deri në fund të vitit 2022 numri i këtyre zyrtarëve ishte 129 për shkak se MASHTI dhe MKRS-ja kishin lëvizje gjatë vitit”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së për KosovaPress.
Në përgjigjen me shkrim bëhet e ditur se të gjithë këta punonjës janë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Po ashtu, thuhet se janë dy ministri të cilat kanë ndërprerë pagesat për këta serbë.
“Për vitin 2022 vlera totale e këtyre pagesave ishte 792,955 euro. Të gjithë janë nga ‘Mbrojtja Civile’. Në dy ministri 52 punonjës ishin paguar vetëm për gjysmën e parë të vitit 2022. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kishte 32 punonjës të cilëve në pjesën e dytë të vitit u kishte siguruar kushte dhe kishte vijueshmëri të të punësuarve. Ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në gjysmën e dytë të vitit kishte ndërprerë pagesat/pagat për 20 punonjës”, thotë ZKA.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e konsideron skandaloze çështjen e pagesave të serbëve.
Zemaj: Skandal, paraqet fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie
“Kjo është skandal në vetvete, paraqet fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie sepse punon me dy standarde. Në njërën anë deklaron që këta janë pjesëtarë ilegalë dhe ju takojnë organizatave terroriste dhe në anën tjetër i mbyll sytë, i paguan dhe nuk merr asnjë përgjegjësi ose për t’i larguar, ose për t’i ndëshkuar ata që nuk kanë vijueshmëri në punë ose për të qartësuar rolin e tyre dhe pozicionin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt nëse ka shkelje ligjore”, deklaron ai.
Ndër të tjera, Zemaj thotë se pala kosovare duhet ta rregullojë këtë çështje në tavolinën e bisedimeve.
Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se qeveria duhet të dalë me sqarime, meqë nuk ka logjikë juridike që e pranon financimin e pjesëtarëve terroristë.
Shala: Qeveria e Kosovës duhet të dal me sqarime rreth kësaj çështje
“Qeveria e Kosovës duhet të dalë me sqarime rreth kësaj çështje, përkatësisht se si ende po paguhen pjesëtarë të disa organizatave të cilat Qeveria i konsideron si organizata terroriste. Mirëpo, mënyra nëse e shohim se si janë shpallur këto organizata si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se në secilin rast kur shpallet një organizatë terroriste, çështjet duhet të jenë të bazuara në fakte dhe në prova, përkatësisht duhet të tregohet se si operon një organizatë e caktuar, në cilat territore, cila është struktura e saj, kush është në krye të strukturës së saj. Dhe nuk mund që një organizatë të shpallet pa u bazuar në fakte dhe prova si organizatë terroriste. Ku duhet të ketë një procedurë të mbështetjes së vendimit duke përfshirë koordinimin edhe me partnerët ndërkombëtarë”, shprehet Shala.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se Qeveria duhet t’i pastrojë këto lista të punonjësve që bëjnë pjesë në “Mbrojtjen Civile”.
Ibishi: Qeveria duhet t’i pastrojë këto lista
“Qeveria duhet t’i pastrojë këto lista sepse ndër ta ka edhe pjesëtarë që vazhdojnë të jenë edhe në ‘Mbrojtjen Civile’, të kryejnë detyra edhe tash të dorëhequr nga Policia e Kosovës apo eventualisht në shërbimet e emergjencave… Kjo është dashur të verifikohet nga Qeveria e Kosovës qysh me kohë, tash është alarmi sidomos që këto dy organizata, edhe ‘Mbrojtja Civile’ edhe ‘Brigada e Veriut’ që janë shpallur si organizata terroriste. Tash domosdoshmërisht duhet të verifikohen këto lista, se mos eventualisht dikush prej tyre vazhdon të jetë anëtarë i këtyre dy organizatave”, deklaron ai.
Pagesat e këtyre punonjësve bëhen në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel në vitin 2013, ku qëllimi ishte për integrimin e pjesëtarëve të komunitetet jo-shumicë.
Përpos “Mbrojtjes Civile” (Civilna Zasita), Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste edhe organizatën “Brigada e Veriut” (Severna Brigada).