Zjarri në malin Sertë sot do të shuhet nga ajri dhe toka. Në mbledhjen e Shtabit të krizave të komunës së Negotinës mbrëmë është bërë e ditur se nga ajri do të veprohet me katër helikopterë dhe tre avionë zjarrfikës, ndërsa pjesëtarë të ARM-së, MPB-së, NJSSH-së, zjarrfikës nga disa qytete, ndërmarrjet publike komunale, Pyjet Nacionale, gjuetarë dhe vullnetarë të tjerë do të ndërhyjnë nga toka.
Është siguruar mekanizimi i nevojshëm për veprim nga terreni, ndërsa është planifikuar që në orët e para të mëngjesit të nisin aktivitetet për shuarjen e zjarrit.
Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, në mëngjes informon se helikopteri turk tashmë është nisur drejt Sertës, si dhe të gjitha zjarret janë nën kontroll të pjesshëm duke e përfshirë edhe zjarrin në Manastir.
“Fokusi ynë gjatë mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do të jetë te zjarri i Sertës, nëse zjarret e tjera nuk kërkojnë përdorimin e avionëve. Ne do të fokusojmë shumicën e avionëve në këtë zjarr në Serta. Ai zgjat shumë dhe mbulon një front të madh, por është karakteristikë se gjatë natës ndalet”, tha mbrëmë drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov. Ai shton se ndonëse gjatë natës qetësohet, pasi temperaturat rriten gjatë ditës, ai digjet.
Prej disa ditësh po vazhdon shuarja e zjarrit në malin Serta, të cilin drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza Angelov mbrëmë e vlerësoi si më të rëndë dhe më të vështirë për t’u shuar sepse është një terren jashtëzakonisht i vështirë i kryqëzuar me përrenj, shkëmbor, terren me kodra, gjemba dhe shkurre të dendura dhe një lloj tjetër bimësh me kërcell të ulët dhe pjesërisht pyll. Zjarri i Sertës mbrëmë është përhapur në territorin e Shtipit dhe pjesërisht në Negotinë.
Në të njëjtën kohë, siç tha ai, në mëngjes pritet të arrijnë dy helikopterë nga Sllovenia – një helikopter i madh me ngarkesë prej pesë tonësh nga Serbia, ndërsa është paralajmëruar edhe një helikopter nga Mali i Zi.
Në shuarjen e zjarreve janë përfshirë edhe 103 pjesëtarë të Armatës dhe 30 pjesëtarë të policisë, të gjithë në shuarjen e zjarrit në malin Serta.