Me probleme të shumta po vazhdon të ballafaqohet shëndetësia kosovare. Ato nisin nga objektet e stërvjetruara e deri te mungesa e protokolleve të punës. Drejtori i ri i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, u zotua për angazhim.
Qendra Klinike Spitalore Universitare e Kosovës, vazhdon të përballet me problemet e vjetra. Kështu u tha në takimin e udhëheqësve të SHSKUK-së me deputetët e Komisionit për Shëndetësi.
Drejtori i sapozgjedhur, Elvir Azizi, që mori detyrën para 8 ditësh, tha se gjatë kësaj periudhe kohore ka vërejtur sfida si furnizimi me barna dhe materiale të tjera shpenzuese, si dhe mungesën e dokumentacionit dhe protokolleve.
“Furnizimi është problematik, jemi të vetëdijshëm që ka ngecje në furnizim, lista esenciale është aprovuar nga MSH-ja, por ende nuk ka arritur në spitale. Sigurimi i cilësisë për mua është një qëllim tjetër. Mungojnë udhëzimet se si stafi duhet të sillet në situata të caktuara, ka edhe mungesë të higjienës”, tha ai.
Për këto sfida të shëndetësisë kosovare folën edhe anëtarët e Komisionit për Shëndetësi.
Derisa drejtori i ri SHSKUK-së u zotua se do ta bëjë më të mirën për këtë institucion, anëtarët e Komisionit thanë se do ta mbajnë për fjale për punën dhe menaxhimin me këtë institucion.