Amanda Tanellari, një grua nga Pogradeci, ka lënë pas bashkëshortin e saj ukrainas, për të luftuar në mbrojtje të atdheut. Ajo arriti të kalojë kufirin me vajzën e saj vetëm 2 vjeç, dhe aktualisht po jeton me prindërit në vendlindje.
Vajza nga Pogradeci Amanda Tanellari e martuar me ukrainas dhe nënë një fëmijë 2 vjeç jetonte prej 5 vitesh në Zaporizha. Ka lënë bashkëshortin në Ukrainë dhe është zhvendosur në vendlindje derisa të marrë fund lufta. Ajo ka dalë në protestë jo vetëm për çmimet.
“Po protestoj për çmimet, por gjithashtu po protestoj dhe për luften në Ukrainë “Stop luftës!”.
Amanda tregon vështirësi për të kaluar kufirin me fëmijën 2 vjeç ditën kur Rusia bombardoi Ukrainën.
“Kam ikur më datën 24 shkurt kur filluan bombardimet dhe më 1 mars munda të vij ne Pogradec sepse kemi qëndruar 4 – 5 dite ne doganë për të kaluar kufirin ukrainas per te shkuar ne Poloni. Siç mund ta imagjinosh me një fëmijë 2 vjeç të rrish 4 -5 dite ne makine është shumë e vështirë, por unë e konsideroj veten një njeri me fat sepse kisha ku te shkoj, kam njerëz që me presin”.
Amanda është me zemër të thyer për bashkëshortin dhe gjithë të njohurit në Ukrainë.
“Diçka është shkëputur, diçka është thyer, por ne kemi shpresën, kemi shpresën se gjithçka do të përfundojë dhe gjithçka do te rikthehet si më parë. Komunikoj çdo ditë me bashkëshortin, sa herë të kemi mundësi. Ai thotë që ka shumë bombardime, dje kishin bombarduar 3 qytete te tjera, jo qytetin tonë. Kishin bombarduar një spital psikiatrik nuk arrijmë të kuptojmë cila është arsyeja. Nuk e di çfarë kërkojnë këto lloj forca ruse nga bombardimet.
Po vrasin civile, ky është genocid është genocid duhet të ndalojë. Zemrën e kam atje, mendoj se çfarë është duke ndodhur atje. Ndërtesa të larta të bombarduara, njerëz të vdekur, ura te bombarduara, njerëz që nuk kane ku te kalojnë, radhë të stërgjata 28 km radhe ne dogane, nëna me fëmijë nëpër krahët e tyre qe nuk dine si ti qetësojnë. Situatë që në vitin2022 nuk mund ti parashikonte asnjëri”.
Amanda Tanellari thotë se do të qendrojnë me prindërit në Pogradec, por mezi pret të kthehet në Ukrainën e çliruar.
‘Derisa të qetësohet gjendja,te shpresojmë për një situate me te mire sa me shpejt. Stop luftës! Ndaloni Putinin! Mbyllni qiejt për Ukrainën! Shpëtoni jete!Shpëtoni fëmijët ukrainas! Kjo nuk është vetëm luftë e Ukrainës por e gjithë Europës”.