Shqiptarët të bashkuar në zemër, por të ndarë në dy Shtete: Nga sakrificat tek sfidat e sotme

November 28, 2024
min lexim

Sot, e gjithë shqiptaria feston Ditën e Pavarësisë.

Shqipëria feston 112 vjet shtet, një rrugëtim i mbushur me luftëra, sakrifica, gjak, mundime, dhe pengesa të shumta, që u kurorëzua me çlirim, më 28 nëntor 1912.

Përgjatë këtyre viteve, Shqipëria dhe shqiptarët kanë arritur shumë.

Por ajo që mbetet më e dhimbshme është se, ndërsa shqiptarët janë bashkuar me zemër, ata janë ende të ndarë në dy shtete.

Ideja e Bashkimit Kombëtar është e pranuar nga të gjithë, por për fat të keq, ajo mbetet ende një shprehje pa vepra konkrete në këtë drejtim.

Megjithatë, shqiptarët vazhdojnë të bashkohen nëpërmjet kulturës, arsimit, rrugëve dhe mbështetjes reciproke.

Njohësit e çështjeve politike e kombëtare, të intervistuar nga “Bota sot”, flasin për idenë e bashkimit kombëtar dhe për sfidat që duhet të kalohen për ta realizuar atë.

Bahtiri: Ëndrra për bashkimin kombëtar nuk është zbehur

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri shprehet për gazetën “Bota sot”, se kjo festë kujton sakrificat e shqiptarëve.

Ai shton se si shqiptarë kemi ende sfida, nisur nga Mitrovica e Preshevën të cilat sipas tij mbetën një simbol i ndarjes dhe pengesave që ende nuk janë kapërcyer plotësisht.

“Mendoj se në këtë 28 Nëntor, duhet të theksojmë domosdoshmërinë e ruajtjes dhe forcimit të unitetit kombëtar si një ideal që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe kohorë. Kjo ditë na kujton sakrificat e të parëve tanë për liri dhe barazi, si dhe detyrën tonë për të përmbushur ëndrrën e një kombi të bashkuar në shpirt dhe në vepra konkrete.

Në këtë kuadër, duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat që ende përjetojnë disa pjesë të trojeve shqiptare. Për shembull, qyteti i Mitrovicës si dhe ai i Preshevës mbetën një simbol i ndarjes dhe pengesave që ende nuk janë kapërcyer plotësisht. Ura mbi Ibër, e bllokuar për vetura, përfaqëson jo vetëm një pengesë fizike, por edhe një kujtesë se bashkimi i plotë kombëtar, në çdo aspekt, kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të bashkërenduar. “Trungut të Shqipërisë së Madhe po tentojnë t’ia ndajnë disa “degë” me pasuri marramendëse për të cilat armiqtë tanë ëndërrojnë 24 orë”, thekson ai.

Image

Agim Bahtiri

Bahtiri thotë se ideja nuk është zbehur sa i përket bashkimit, por që është sfiduar nga realitetet politike dhe gjeostrategjike të kohës sonë.

“Ëndrra për bashkimin kombëtar nuk është zbehur, por është sfiduar nga realitetet politike dhe gjeostrategjike të kohës sonë. Kufijtë e imponuar, interesat ndërkombëtare dhe mungesa e një vizioni të përbashkët mes klasave politike mund të kenë krijuar pengesa, por ndjenja kombëtare dhe dëshira për unitet mbeten të gjalla.

Në vend të një bashkimi tradicional, shqiptarët kanë mundësi të punojnë për një bashkim shpirtëror, kulturor dhe ekonomik që tejkalon kufijtë formalë. Integrimi i brendshëm, fuqizimi i lidhjeve midis shqiptarëve në trojet e tyre dhe forcimi i prezencës sonë në arenën ndërkombëtare janë rrugët që duhet të ndjekim për të përmbushur këtë aspiratë”, deklaron ai.

Në fund, Bahtiri thekson se identiteti shqiptar duhet të ruhet me përkushtim, duke përmendur disa fusha si arsimin, lidhjet kulturore, unitetin politik etj.

Ruajtja e identitetit kombëtar kërkon përkushtim në disa fusha thelbësore:

1. Arsimimi dhe Edukimi Kombëtar: Është jetike të forcojmë arsimin mbi historinë dhe kulturën shqiptare në të gjitha trojet, duke siguruar që brezat e rinj të kuptojnë dhe të jenë krenarë për rrënjët e tyre.

2. Lidhjet Kulturore dhe Ekonomike: Shqiptarët duhet të punojnë për të ndërtuar ura bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik midis tyre, duke forcuar një treg të përbashkët dhe duke ruajtur gjuhën dhe traditat kudo që ndodhen.

3. Lidhja me Diasporën: Shqiptarët në diasporë luajnë një rol të rëndësishëm si urë midis vendeve ku jetojnë dhe atdheut. Aktivizimi i tyre për projekte kombëtare është thelbësor për ruajtjen e identitetit kombëtar.

4. Uniteti Politik: Në një botë me sfida të mëdha, uniteti politik dhe një vizion i përbashkët kombëtar janë thelbësorë. Dallimet politike nuk duhet të na ndajnë kur vjen fjala për interesat kombëtare.

Qytete si Mitrovica, që ende përjetojnë sfida të ndarjes, janë një thirrje për të gjithë shqiptarët të forcojnë përpjekjet për drejtësi, barazi dhe ruajtje të vlerave tona kombëtare. Këto hapa janë thelbësorë për të siguruar që identiteti ynë të mbetet i fortë, pavarësisht sfidave”, përfundon ai për “Bota sot”.

Mehazi: “28 Nëntori” duhet të jetë me shumë dashuri e më pas me plotëurimësi

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, me këtë festë shqiptarët duhet të përkujtojnë se çfarë ndodhi me trojet shqiptare.

Sipas tij, dashuria ndaj kombit e Shqipërisë duhet të jetë si e rilindësve tanë që flaka dashurore ju shkonte për trojet shqiptare.

“Dita më e madhërishme kombëtare – shtetërore “28 Nëntori” pikësëpari duhet të jetë me shumë dashuri e më pas me ploturimësi, më shumë të jetë me zemërbardhësi e më pak me gojëmbëlsi, më shumë të përkujtojmë e mendojmë se ç ‘ndodhi me trojet tona, sesa të festojmë në mënyrë euforike, se kush i copëtoi e pse na kanë ndarë në copëza të vogla territoresh?

Duhet menduar e studiuar pse është zbehur dashuria e bashkimit kombëtar dhe cilët janë fajtorët e  përçarjeve dhe urrejtjeve të shqiptarëve në mes veti? Pse politikanët, intelektualët, shkrimtarët e sotëm shqiptarë nuk frymëzojnë rininë për ta dashur gjuhën shqipe, kombin, flamurin dhe Shqipërinë sikurse Rilindësit tanë që flaka dashurore ju shkonte për trojet shqiptare dhe krijimin e Shqipërisë “londineze”. Nuk mund të ruhet identiteti, atdheu, gjuha e Shqipëria duke frymëzuar rininë shqiptare me dashuri ndaj shteteve perëndimore, me njohjen e gjuhëve të huaja: anglishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten etj., duke anashkaluar e nënçmuar gjuhën dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet me emrin SHQIPËRI”, thotë profesori.

Image

Sulejman Mehazi

Por, fatkeqësisht Mehzit thotë se bashkim nuk mund të ketë derisa politikanët e mjerë i lavdërojnë shtetet perëndimore duke Shqipërinë dhe Kosovën.

Ai bashkimin tonë e sheh vetëm nën ombrellën e BE-së.

“Kurrë nuk do bashkohen shqiptarët në një shtet derisa politikanët e intelektualët e mjerë lavdërojnë dashurisht shtetet perëndimore BE-në e SHBA-në duke nënçmuar shtetet shqiptare Shqipërinë dhe Kosovën. Sa më shumë që kalojnë vitet aq më e pamundur është bashkimi i shqiptarëve në një shtet,  rrethanat politike e gjeostrategjike të ditëve të sotme nuk ua mundësojnë bashkimin e tyre në një shtet, tani bota e fuqishme politike, diplomatike globale lufton shtetet nacionale, përparësi kanë shtetet me sisteme shoqërore multietnike sikurse që është shteti më i fuqishëm SHBA-ja. Politika globale është kundër shteteve nacionale duke ju dhënë përparësi pakicave multietnike përballë nacionales. Bashkimi ynë politik e diplomatik kombëtar bëhet atëherë kur do jemi brenda, nën ombrellën e shteteve të BE-së, këtë bashkim kombëtar artificial në prehërin e BE-së mund ta pagëzojmë: Bashkimi i Trojeve të Robëruara Shqiptare nën patronatin e BE-së, njësoj sikurse ishte bashkimi i trojeve shqiptare nën Perandorinë Romake dhe Osmane”, përfundon ai.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

After Work Jackpots në Grand Casino Admiral

Story i radhës

Përurohet vepra e 10-të të Mid’hat Frashërit! Uran Butka rrëfen jetën e firmëtarit të Pavarësisë; Agron Shehaj tregon si lindi ideja e Institutit “Lumo Skëndo”

Të fundit nga

ShkoLartë