Shqipëria U-17 luan nesër me Maqedoninë e Veriut

min lexim

Kombëtarja shqiptare U-17 do të luajë ditën e nesërme sfidën e parë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në qytetin e Strugës.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku kanë zhvilluar këtë të diel stërvitjen e fundit në kuadër të takimit të së hënës, për të cilën skuadra dhe stafi janë impenjuar maksimalisht.

Përgatitjet kanë nisur që nga e mërkura e 7 shtatorit në qytetin e Pogradecit, ku Ervin Bulku dhe stafi kuqezi kanë grumbulluar në total 24 lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë disa herë me Kombëtaren U-17.

Ky do të jetë pak a shumë edhe grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë U-17 në kualifikueset e Europianit U-17 që do të luhen në muajin tetor kundër Suedisë, Uellsit dhe Kroacisë që do të jetë edhe vendi organizator i turneut.

Përpara sfidës së nesërme, fshf.org u ka marrë nga një prononcim të shkurtër dy prej futbollistëve kuqezinj të grumbulluar në Pogradec, Dejvi Metaj dhe Jordi Jaku.

Metaj është një futbollist kyç i ekipit të ndërtuar nga Ervin Bulku, nuhatës mjaft i mirë i golit, që ka realizuar në disa sfida ku është aktivizuar. Ai flet për ftesën nga stafi kuqezi, ndërsa tregon edhe objektivat e Kombëtares në këto dy miqësore.

‘Për ftesën jam shumë i lumtur. Gjendja e ekipit është e shkëlqyer. Kemi qënë lojtarë të grumbulluar që në U-15 dhe kemi arritur deri në U-17. Jemi të gjithë grup bashkë. Të gjithë lojtarët luajnë në ekipe të mira dhe kanë paraqitje të mira këtu te Kombëtarja. Gjendja e lojtarëve është thuajse perfekte.

Ndeshja me Maqedoninë do jetë shumë e nevojshme për ne për të parë se si arrijmë të luajmë me njëri-tjetrin. Kemi një ndeshje në Strugë që është në fushën e atyre dhe që do jetë e vështirë, por me këta elementë që kemi në ekip mendoj se do bëjmë shumë gjëra të mira’.

Gol nesër ndaj Maqedonisë? – Shpresoj, duke punuar shumë, edhe mund të arrijmë të bëjmë gol.
Dejvi Metaj ka kaluar këtë verë tek ekipi i Leçes në Itali dhe flet pak për këtë eksperiencë të tij te skuadra italiane, ndërsa tregon edhe ëndrrën që ka për të qenë pjesë e ekipit kombëtar A. ‘‘Transferimi te Leçe ka gati një muaj dhe siç kam luajtur këtu shpresoj atje të luaj edhe atje në të njëjtin nivel por edhe më lart. Deri tani kemi zhvilluar ndeshje miqësore sepse kampionati nuk ka nisur akoma, por mezi presim të nisë kampionati dhe të provojmë veten. Ekipi A? – E kam ëndërr që kur kam qenë pjesë e ekipit U-15, avash-avash, do ta arrij!

Jordi Jaku luan në kampionatin shqiptar dhe ashtu sikurse Metaj, edhe ai ka qenë disa herë pjesë e ekipit kombëtar U-17. Jaku shpreson që ekipi të arrijë dy fitore në këto sfida miqësore për të rritur moralin përpara kualifikueseve të Europianit.

‘Jam shumë i lumtur që marr ftesë nga Kombëtarja përsëri. Kemi një ekip të mirë, do të vazhdojmë përpara. Kemi objektiva për ndeshjet ndaj Maqedonisë, ku shpresojmë të marrim fitore që të kemi një moral më të lartë për Europianin dhe pse jo të ecim përpara edhe në Europian. Ëndrra ime është që një ditë të luaj te Reali i Madridit dhe sigurisht te Kombëtarja A‘ – thotë Jaku për fshf,org.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Frika nga mungesa e gazit, gjermanët nxitojnë drejt ngrohësve të shtrenjtë elektrikë

Story i radhës

Rikthehet sistemi TIMS në pikat kufitare të vendit

Të fundit nga