Shqipëria ka qenë destinacion turistik që në vitin 1929.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar materiale që i referohen revistës ”Shqipëria Turistike”, botuar në vitin 1929 nga kompania “Adriatica” me qendër në Venecia, të Italisë. Kjo revistë (“Albania Turistica”) dëshmon ekzistencën e linjave të anijeve dhe avionëve për të gjithë turistët, të huaj apo shqiptarë, që preferonin të vizitonin Shqipërinë.
Ndërkohë në një postim të Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër thuhet se që në nëntor 1934, revista kulturore “Minerva” në numrin e saj 25-të, përshkruan malet dhe zonat e Dukagjinit, duke bërë një guidë të thjeshtë turistike të zonës së Dukagjinit në përgjithësi dhe të Thethit në veçanti.
Një përshkrim-guidë prej 4 faqesh, nga faqja 21-24, i shoqëruar me 7 fotografi të peizazheve natyrore të zonës (Shtegu i Dhenve, Ujëvara në Shosh, Gryka e Ndërshqemit /Porta e Shalës, Lumi i Shalës, Qafë e Valbonës dhe Rrogami, Jezerca dhe grup alpinistësh).
Shkrimi i veçantë për Dukagjinin tregon potencialet e tij turistike, por edhe problemet që identifikon autori si hapja e rrugës së makinës dhe sistemimi i shtëpive për të pritur turistë.
Ndërsa nëse i referohemi “Archivio Centrale dello Stato” (Itali), mbi turizmin ne Shqipëri, përpara vitit ’39, thuhet se Shqipëria kishte struktura turizmi, por ishin të prapambetura e me kushte të dobëta higjenike.
Më pas, me ndërhyrjen italiane, Shqipëria turistike u promovua edhe nga Lloyd Triestino, kompani e rëndësishme e trasportit detar, si dhe në aktivitetet e panairit Fiera del Levante të qytetit të Barit.