Shqipëria nuk e shfrytëzoi aspak rastin fantastik të Ligës së Kombeve, të paktën jo deri tani. Kuqezinjtë e Rejës kanë grumbulluar vetëm një pikë në dy ndeshjet e zhvilluara në transfertën me Islandën dhe në shtëpi me Israelin.
Ajo që është vënë re në këto takime ishte mungesa e dëshirës së lojtarëve dhe grintës për fanellën e Kombëtares. Më veçanërisht ulja e rendimentit në 45 minutat e dyta, teksa të dy rivalët na vendosën përtokë fizikisht.
Pyetja që shtrohet: “Çfarë do të ndodhte nëse Rusia nuk do të ishte përjashtuar?”. E vështirë të imagjinohet, ndërsa Etrit Berisha u shpreh se Shqipëria do të kërkonte vendin e parë edhe me Rusinë në grup. Kuqezinjtë do të luanin në datën 2 qershor në shtëpi me Rusinë, për ta vazhduar në datën 6 qershor dhe 10 qershor me takimet që u zhvilluan ndaj Islandës dhe Israelit, ndërsa më pas do të udhëtonim në 13 qershor në Rusi.
Pra rreth 4 ndeshje në vetëm 11 ditë, atëherë çfarë mund të pritej nga aspekti fizik i lojtarëve? Si do të mund ta përballonin një kalendar të tillë kaq të ngjeshur? E frikshme nëse e imagjinon! Duket se futbollistët e Shqipërisë kishin marrë pushimet para kohe duke mos vlerësuar as fatin e madh që i erdhi në dorë.
Për më tepër që Islanda dhe Israeli kishin për të zhvilluar 3 ndeshje në muajin qershor edhe pas përjashtimit të Rusisë, ndërsa Shqipëria kishte vetëm 2 takime të tilla.
Kjo pasi në ditën e nesërme do të kemi një përballje direkte mes Israelit dhe Islandës, teksa të dy Kombëtaret do të kenë për të zhvilluar edhe vetëm një ndeshje me Shqipërinë për të mbyllur grupin, ndërsa kuqezinjtë do të kenë dy takime në shtator.