Kombëtarja shqiptare po vijon me përgatitjet për dy ndeshjet e para në UEFA Nations League ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e dytë stërvitore të martën në “Shtëpinë e Futbollit”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Silvinjo ka pasur në dispozicion edhe Myrto Uzunin, Mario Mitajn, Jasir Asanin dhe Adrian Bajramin, ndërsa Enea Mihaj mbërriti pasditen e sotme në Tiranë dhe u la pushim nga stafi teknik.
Stërvitja e djeshme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike. Edhe në këtë seancë stërvitore me skuadrën u bashkuan disa lojtarë nga Kombëtarja U-21, Feta Fetai, Marcelino Preka, Adrion Pajaziti dhe Stiven Shpendi.
Sot Kombëtarja do të zhvillojë seancën e radhës stërvitore, ndërkohë që të enjten ekipi do të udhëtojë drejt Pragës.
Ndeshja Ukrainë–Shqipëri do të luhet të shtunën më 7 shtator, në orën 20:45 në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë.
Burimi: botasot.info